Vuçiq e bën paqësorin: Nuk do të ketë konflikt në Kosovë, edhe pse Kurti provokon çdo ditë
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë sot se në Kosovë nuk do të ketë konflikte, edhe pse siç thekson ai, kryeministri i Kosovës Albin Kurti provokon çdo ditë.
Vuçiq u tha gazetarëve duke komentuar deklaratën e ministrit italian të Mbrojtjes, Guido Crosetto, se përveç konfliktit në Lindjen e Mesme, ai i frikësohet krizës së Kosovës – se Kosova është një front potencialisht shpërthyes.
“Crusetto është njeri i zgjuar, por nuk shoh konflikte edhe pse Albin Kurti i provokon çdo ditë. Duhet të jemi të fortë, t’i shtyjmë gjërat përpara, të mbrojmë popullin tonë, të luftojmë për interesat e tyre, për vendin tonë në Kosovë, për njerëzit tanë në çdo vend”, tha Vuçiq.
“Nuk parashikoj luftëra për Serbinë. Është koha për të jetuar në paqe dhe përparim. Lufta është gjëja e fundit që duhet të na ndodhë dhe shpresoj se nuk do të na ndodhë kurrë”, deklaroi tutje Vuçiq.