Jasharaj: Punëtorët e arsimit në Viti nesër protestojnë para Qeverisë
Punëtorët e arsimit në Komunës e Vitisë, të cilët nuk janë paguar ende për këtë muaj, do të protestojnë nesër para Qeverisë së Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar Rrahman Jasharaj, kryetar i SBAShK-u, i cili tha se protesta do të fillojë në ora 11:00.
“Dje isha për vizitë në komunën e Vitisë, ku bashkë edhe me shoqatat e tjera sindikale u takuam edhe me kryetarin Sokol Haliti, i cili dukej i shqetësuar lidhur me gjendjen. Pas diskutimeve ramë dakord që t’i japim kohë edhe sot institucioneve përkatëse për zgjidhjen e kësaj çështje. Derisa nesër nga ora 11:00 parashihet që të mbahet një protestë para Qeverisë nga punëtorët e sektorit të arsimit në Vitisë”, tha Jasharaj, transmeton EO.
Tutje, ai ka paralajmëruar për rrezikun e masave të tjera sindikale.
“Pavarësisht gjendjes buxhetore të Vitisë unë iu bëj thirrje që të gjendet zgjidhje në të kundërtën nga e hëna kam frikë se do të shkohet me masa sindikale siç është greva, ku pritet që edhe punëtorët e arsimit nga rajonet e tjera të solidarizohen me kolegët e tyre, me format dhe mundësitë që kanë”, shtoi ai.