Gjashtë të vrarë nga sulmi izraelit në një qendër mjekësore në Bejrut

Gjashtë të vrarë nga sulmi izraelit në një qendër mjekësore në Bejrut

Sulmet ajrore ndaj një qendre mjekësore në Bejrut të Libanit kanë lënë të vrarë të paktën gjashtë persona, pasi ushtria izraelite e pësoi ditën më vdekjeprurëse në frontin libanez gjatë një viti luftimesh me Hezbollahun e përkrahur nga Irani.

Banorët e Bejrutit dëgjuan një raketë duke fluturuar mbi qytet para se ta dëgjonin zhurmën e shpërthimit. Në video të ndryshme shfaqej dyshemeja e një ndërtese banesazh duke u djegur. Banorët që jetojnë në zonat e afërta filluan të iknin, duke u larguar shpejt me motoçikleta e vetura, raporton gazeta “The Guardian”.

Sulmi izraelit goditi një qendër mjekësore që i përkiste Organizatës Shëndetësore Islame, e lidhur me Hezbollahun, në orët e hershme të së enjtes. Ky sulm ishte i dyti në pjesën qendrore të Bejrutit këtë javë, pasi shumica e sulmeve më parë ishin të përqendruara në jug të qytetit.

Ushtria izraelite tha se po e vinte në shënjestër Bejrutin dhe lëshoi paralajmërime për evakuim për zona të ndryshme gjatë natës. Tri raketa e goditën edhe periferinë jugore, Dahiyeh, ku javën e kaluar u vra kreu i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, dhe shpërthime të fuqishme u dëgjuan atje, thanë zyrtarët libanezë të sigurisë.

Zyrtarët shëndetësorë libanezë thanë se të paktën gjashtë njerëz u vranë dhe shtatë të tjerë u plagosën, duke shtuar se 46 persona të tjerë ishin vrarë nga sulmet izraelite në 24 orët e kaluara.

Një ditë pasi Irani hodhi mbi 180 raketa drejt Izraelit, rajoni më i gjerë po e pret kundërpërgjigjen e Izraelit. Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se nuk mbështet një sulm izraelit ndaj qendrave bërthamore të Iranit.

Shpërndaje në: