Konjufca: Jam optimist për një zgjidhje rreth CEFTA-s

Konjufca: Jam optimist për një zgjidhje rreth CEFTA-s

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca duke folur për situatën aktuale lidhur me Procesin e Berlinit dhe kërkesat gjermane, ka shprehur optimizmin e tij për një zgjidhje në lidhje me CEFTA-n, përkatësisht heqjen e masës së sigurisë për produktet nga Serbia.

Ai theksoi se bisedimet po vazhdojnë dhe se është e rëndësishme që qeveria të gjejë një gjuhë të përbashkët me organizatorët e nismave rajonale, me qëllim që Kosova të jetë pjesë aktive e këtyre iniciativave rajonale.

“Edhe në këto momente kur po flasim bisedat janë duke vazhduar për këtë çështje. Jam shumë optimist se qeveria do ta gjej një gjuhë të përbashkët me organizatorët e këtyre nismave rajonale, sepse interesi i Kosovës natyrisht është që të jetë pjesë e tyre. Pozicionin e qeverisë e keni dëgjuar se kjo është për çështje të sigurisë. Partnerët tanë kanë propozuar se kjo mund të zgjidhet përmes disa masave që do të ndërmerren dhe përmes ndihmës së skanerëve. Tani i mbetet qeverisë që të gjejë një gjuhë të përbashkët për një marrëveshje në këtë aspekt. Nëse kjo arrihet nuk mendoj se rrezikohet pjesëmarrja në këto nisma shumë të rëndësishme edhe për interesin tonë”, tha Konjufca.

Kryeparlamentari tutje theksoi se masat e marra nga qeveria nuk kanë pasur për qëllim dëmtimin e CEFTA-s, por kanë qenë një përgjigje e domosdoshme për situatën e krijuar pas ngjarjeve në Banjskë.

“Nuk është që ne duam të jemi planprishës të këtyre nismave rajonale. Ne e kemi marrë atë masë për shkak të asaj që ka ndodhur në Bajnskë. Pas Banjskës shqetësimi kryesor i Kosovës ka qenë nëse ka hyrje të pakontrolluar të mallrave serbe dhe të kamionëve serb, kjo e vendosë Kosovën në një pozitë shumë të vështirë sepse ne nuk do të mund ta kishim kontrollin sa i përket mundësisë së hyrjes së gjërave shumë të dyshimta, e kryesisht e kemi pasur shqetësimin te armatimi”, shtoi Konjufca.

Ai ka thënë se kanë pritur mirëkuptim nga ndërkombëtarët për këtë çështje, por ka pasur mirëkuptim vetëm një vit. “Tash siç po e shohim edhe Gjermania, edhe disa shtete tjera janë shumë këmbëngulëse që kjo masë të hiqet. Ne edhe dëshirojmë të mos jemi pengues të CETA-s por dëshirojmë edhe mos të jemi aq naiv që të hyjë diçka në Kosovë dhe ne mos ta dimë”, nënvizoi Konjufca.

Për sa i përket situatës politike brenda Kuvendit, Konjufca shprehu shqetësimin për dështimin e seancave dhe mosfunksionimin e duhur të këtij institucioni. Ai parashikoi se muajt e ardhshëm do të jenë të vështirë për Kuvendin, duke theksuar nevojën për negociata dhe konsensus mes grupeve parlamentare për të kaluar marrëveshjet ndërkombëtare.

“Ne veçse kemi hyrë në tetor dhe kemi muajin nëntor, pastaj si të vjen gjysma e dhjetorit do të shkojmë në pushimet e fundvitit e më pas do të shkojmë drejtë në fushatë. I parashoh këta dy muaj e gjysmë aspak të lehtë për Kuvendin e Republikës së Kosovës, do të ketë shumë komplikime sa i përket funksionimit”, pranoi Konjufca.

Ai ka thënë se dështimi i seancave nuk do t’i ndihmojë funksionimit të kuvendit.

“Së pari duhet ta përpilojmë agjendën, e për të mundur t’i mbajmë seancat duhet të bëjmë negociata për shkak të korumit. Së paku për disa çështje duhet të kemi konsensus që të kalojnë për shembull marrëveshjet ndërkombëtare. U pa se si ato kaluan në fund të sesionit pranveror, d.m.th opozita i votoj diku rreth 20 marrëveshje ndërkombëtare dhe nuk besoj që është problematike edhe tash”, tha ai.

Sipas tij tani është e nevojshme që grupi i mazhorancës të jetë më aktiv dhe të ulet me grupet e tjera parlamentare që ta ndërtojnë një agjendë se çka mund të ishte e votueshme dhe e kalueshme në Kuvendin e Kosovës gjatë këtyre dy muajve e gjysmë.

Shpërndaje në: