Prokuroria jep detaje për aksionin kundër Fajdesë në Prizren, ku u arrestuan tre persona

Prokuroria jep detaje për aksionin kundër Fajdesë në Prizren, ku u arrestuan tre persona

Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se, pas një hetimi disa mujor në bashkëpunim me Njësinë Rajonale të Policisë në Prizren, Drejtorinë për Krim të Organizuar dhe Njësinë NJSO, është realizuar kontroll në tri lokacione, me ç’rast janë arrestuar tre të dyshuar A.Th., I.Th., dhe J.Th., për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331 par. 2, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Të pandehurit e arrestuar, dyshohet se duke shfrytëzuar gjendjen e rënduar financiare të viktimës, të njëjtit i kanë dhënë të holla me kamata mujore prej 25%. I dëmtuari disa herë ka paguar kamata, dhe kur i njëjti nuk ka arritur që t’i pagaj kamatat mujore, të pandehurit i kanë vënë kamata javore, me ç’ rast si rezultat i kamatave të larta, kanë arritur vlera të pa përballueshme për viktimën.

Kontrolli është realizuar në regjionin e Prizrenit, ku pas grumbullimit të provave gjatë aplikimit të masave të veçanta hetimore në terren, të pandehurit janë arrestuar.

Gjatë këtij aksioni, Prokurori i Shtetit, ka sekuestruar dy (2) automjete, të holla të gatshme dhe prova tjera materiale, në drejtim të veprës së lartëcekur.

Të pandehurit e arrestuar, gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh, dhe brenda afatit ligjor, për të njëjtit, prokuroria do të parashtroj kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.

Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.

Shpërndaje në: