Dështimi për t’u anëtarësuar në KiE, Sarrazin: S’mund ta kryejmë punën tuaj, vendimi për Manastirin e Deçanit erdhi vonë
I dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin iu përgjigj në një mënyrë jo shumë diplomatike gazetarit gjerman, Michael Martens në një panel diskutimi në Prishtinë për angazhimin gjerman në Kosovë, ndërsa u pyet për mosanëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.
Martens tha se Gjermania vendosi “kushte shtesë” pasi Kosova i kishte plotësuar, duke iu referuar kërkesës së ndërkombëtarëve për dërgimin në Gjykatë Kushtetuese të draft-statutit europian të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Sarrazin tha se Gjermania ka kryer shumë punë, por që s’mund ta bëjë edhe punën diplomatike të Kosovës.
“Nuk mund t’i besoni vetëm Gjermanisë që ta kryejë punën tuaj diplomatike. Duhet të bëhet edhe nga vetë Kosova për t’i bindur partnerët e tjerë dhe jo për të na vënë neve për t’i bindur ata. Kjo është”, tha diplomati gjerman, duke iu përgjigjur edhe kritikave se kosovarët “e kanë humbur besimin”.
“Jo, nuk jam i befasuar”, tha Sarrazin, duke iu përgjigjur pyetjes së Martens se a çuditet që “njerëzit e humbasin besimin në Gjermaninë”.
Sarrazin tha se duhet kapur momentumi. Ai tha se vendimi i Qeverisë së Kosovës për ta zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që kërkonte transferimin e 24 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit, “erdhi vonë”.
“Në botë gjërat ndryshojnë. Dhe nëse e keni humbur momentumin, atëherë mos u ankoni më vonë se gjërat ndryshuan. Deçani erdhi vonë. Erdhi shumë vonë. Unë jam i sigurt – ky nuk është qëndrim zyrtar i qeverisë gjermane – që nëse kjo do të ishte bërë gjysmë viti më parë, ju do të ishit sot në Këshillin e Europës. Erdhi shumë vonë”, tha i dërguari i Gjermanisë.
Sarrazin tha se Gjermania nuk e ka lënë në lloç Kosovën në këtë proces, ashtu siç tha Martens.
Për Gjermaninë, ai tha se Këshilli i Europës s’do të lidhej me Asociacionin, por se “për partnerët e tjerë kjo ishte ndryshe”.
“Partnerë të rëndësishëm, po”, tha ai, kur u pyet nëse bëhej fjalë për Francën.
Ai tha paraprakisht se përcjellja e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në KiE në Asamblenë Parlamentare “u bë veç për shkak të Gjermanisë”, ndërsa përmendi lobimin dhe angazhimet tjera.
“Mendoj se nuk është rezultati që duhet të na bëjë të lumtur. Ne duam që Kosova të jetë në Këshillin e Europës…. Ne duam që kjo të ndodhë. Por për ne ishte e qartë se një votim të dështuar në këtë komitet përfaqësues ministror, duhet ta shmangim sigurisht”, tha Sarrazin.