Ministria e Financave: Punëtorëve të arsimit fillor e të mesëm në Komunën e Vitisë s’iu ekzekutuan pagat
Ministria e Financave, nëpërmjet një komunikate për media të martën ka njoftuar se vetëm një pjesë të punonjësve të Komunës së Vitisë ua janë ekzekutuar pagat, meqë sipas tyre Komuna e Vitisë nuk ka arritur të sigurojë buxhetin e nevojshëm.
Sipas Ministrisë së Financave, pagat e muajit shtator në Komunën e Vitisë nuk kanë arritur të marrin punëtorët e arsimit fillor e të mesëm.
“Për zyrën e kryetarit, administratën dhe programet tjera sistemi ka bërë ekzekutimin e pagesave, por jo edhe për programet e arsimit fillor e të mesëm, sepse komuna nuk është siguruar që në këto dy programe ka buxhet të mjaftueshëm”, thuhet në njoftim.
Thesari i Kosovës, potencon më tej Ministria e Financave, ka njoftuar me kohë komunat të cilat janë “ballafaquar me këtë problem që të bëjnë korrigjimet dhe përshtatjet e nevojshme për të siguruar buxhet të mjaftueshëm për ekzekutimin e pagave të muajit shtator, dhe të gjitha komunat e kanë bërë përpos njërës”.
Komuna e vetme që nuk e ka bërë këtë rregullim, sipas Ministrisë së Financave është Vitia, e cila ka lënë programet e arsimit fillor dhe të mesëm pa buxhet të mjaftueshëm për ekzekutim të pagave të shtatorit.
“Me qëllim që të mundësohet ekzekutimi i pagave për të gjithë punonjësit e komunës, Thesari i ka dërguar në vazhdimësi njoftime Komunës së Vitisë, përfshirë edhe ditën e djeshme, të cilëve u është dhënë mundësia gjatë gjithë ditës duke i pritur që t’i bëjnë rregullimet e nevojshme për të siguruar buxhet të mjaftueshëm për ekzekutim të plotë të pagave”.
Megjithatë, sipas Ministrisë së Financave, zyrtarët e Komunës së Vitisë nuk kanë reflektuar, gjë që nënkupton se kur “është bërë ekzekutimi i pagave sot, sistemi me automatizëm i ka refuzuar ekzekutimet për programet që nuk kanë buxhet të mjaftueshëm”.
Duke qenë të vetëdijshëm për situatën e të punësuarve dhe nevojën për të pranuar pagën e tyre, Ministria e Finacave ka potencuar se është e gatshme që kurdo që Komuna e Vitisë bën përshtatjet e nevojshme dhe siguron buxhetin e mjaftueshëm, “të bëjmë një ri-ekzekutim të pagave vetëm për këto dy programe”.