Kryeziu për “Listën Familja”: Politika nuk ka lënë gjë pa stërkequr dhe keqpërdorur
Drejtori i KDI-së Ismet Kryeziu ka reaguar pasi dy deputetët Eman Rrahmani e Visar Korenica së bashku me disa të tjerë shpallën “Listën Familja”, me të cilën do t’a kërkojvë votën në zgjedhje.
Sipas Kryeziut politikanët kanë stërkequr secilin concept deri më tash. Në ktë dritë sipas tij, rradhës së keqperdorimit të këtyre koncepteve tashmë veç se i shtohet “Lista Familja”.
E plotë:
Politika tek ne nuk ka lënë gjë pa stërkequr dhe keqpërdorur – dhe tani, edhe familjen.
Grupimet politike si kjo e sotmja, që përdorin familjen si platformë zgjedhore, nuk bëjnë asgjë më shumë sesa një përpjekje për të manipuluar votuesit, duke u mbështetur në një koncept emocional dhe tradicional siç është familja. Emërtimi i listës zgjedhore si “Lista për Familjen” është shembull i qartë i politizimit dhe keqpërdorimit të familjes dhe religjionit, sa për të fituar disa vota, për të kaluar pragun dhe për t’u zgjedhur deputetë. Kur këta politikanë e përdorin familjen dhe besimin fetar si mjete për të mobilizuar elektoratin, duke instrumentalizuar çështje të ndjeshme dhe personale, ata nuk janë aspak të sinqertë në mbrojtjen e vlerave apo të drejtave qytetare, thjeshtë synojnë përfitime personale dhe pushtet.
Për më tepër, fakti që në këtë grupim politik kemi politikanë që janë kacavjerrë nëpër lista zgjedhore, koalicione e parti të ndryshme sa herë kemi pasur zgjedhje, vetëm sa për t’u futur në parlament, tregon që nuk do sjellin asgjë të re. Ata po përpiqen thjesht të shfrytëzojnë konceptin e familjes, duke pretenduar se disa të drejta ose zhvillime në shtetin tonë të ri demokratik po cenojnë “vlerat tradicionale të familjes.”
Kjo formë e të bërit politikë deformon diskursin publik dhe krijon polarizim në shoqëri, duke larguar vëmendjen nga problemet reale si korrupsioni, mungesa e integritetit në politikë, zhvillimi ekonomik, mirëqenia, dhe të tjera, për të promovuar një kauzë të paqenë të “mbrojtjes së vlerave familjare.”