Mizorisht e vrau një grua në vitin 2013, ngrihet aktakuzë ndaj shqiptarit të ekstraduar nga Mbretëria e Bashkuar
Prokuroria Themelore në Prizren, në Departamentin e Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj S.H., një shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili ndodhet në paraburgim që nga data 30 gusht 2024, pas ekstradimit nga Mbretëria e Bashkuar.
Ai akuzohet për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, sipas nenit 179 të Kodit Penal.
Ngjarja, sipas aktakuzës, ka ndodhur më 4 qershor 2013, në Prizren, kur S.H., së bashku me S.K., ka privuar nga jeta I.K., një këngëtare-valltare.
Dyshimet sugjerojnë se pas takimit me I.K., që punonte në një lokal në Mitrovicë, ata filluan ta godisnin me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, duke shkaktuar vdekjen e saj si rezultat i gjakderdhjes masive.
“Më datë 04.06.2013 në periudhën kohore prej orës 03:23min dhe 06:47min, në Prizren, me dashje privon nga jeta në mënyrë mizore dhe tinzare nga motivet e ulëta së bashku me tani të dënuarin S.K., – viktimën I.K., në atë mënyrë që së bashku me S.K., nga Shkodra-Republika e Shqipërisë, vjen për të vizituar I.K., e cila ishte duke punuar si këngëtare-valltare në Mitrovicë në lokalin “Sh.”, pronë e M.S., me ç’rast takohen në Prizren, ku qëndrojnë në shtëpinë e F.R., ku ajo ka banuar më herët.
Pasi që familja nuk është pajtuar lidhur me punën e saj si valltare dhe këngëtare në lokalet e natës, dhe pasi e njëjta nuk është pajtuar të kthehet në shtëpi, papritmas i pandehuri S.H., me thikë së bashku me S.K., fillojnë të godasin I.K., në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar plagë prerëse – shpuese, me ç’rast ka ardhur deri te vdekja e dhunshme si pasojë e gjakderdhjes masive të shkaktuar nga veprimi mekanik i mjetit të fortë dhe të prehtë, e që është konstatuar sipas raportit të autopsisë së kryer me datë 05.06.2013”, thuhet në njoftim.
Prokurori ka propozuar që pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.