Murati thotë se familjet kosovare u pasuruan: I kanë 1.51 miliardë euro më shumë në banka

Murati thotë se familjet kosovare u pasuruan: I kanë 1.51 miliardë euro më shumë në banka

Jo vetëm bizneset, por sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, edhe familjet kosovare janë pasuruar nën udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje.

Murati, duke përmendur një raport të Bankës Qendrore të Kosovës, flet për rritje të depozitave të ekonomive familjare në banka, që thotë se ndodhi gjatë Qeverisë Kurti.

“Depozitat e Ekonomive Familjare në valutën euro për herë të parë tejkalojnë shifrën 4 miliardë euro, sipas raportit të publikuar nga BQK për muajin gusht. Siç mund të shihet edhe nga grafikoni më poshtë, ritmi i rritjes përshpejtohet në mënyrë të theksuar gjatë mandatit të Qeverisë Kurti”, shkroi Murati në ‘Facebook’.

“Për 4 vitet e fundit, depozitat e ekonomive familjare janë shtuar për 1.51 miliardë euro, që krahasuar me 4 vitet paraprake gjatë qeverisjeve të kaluara është për 3-fish më e lartë”, shtoi ai.

Sipas tij, “ky është tregues se rritja ekonomike është gjithëpërfshirëse e nuk po bëhet vetëm për biznese, por për të gjithë qytetarët”.

“E kjo është gjë e mirë sepse duke pasur më shumë para, ekonomitë familjare blejnë më shumë, gjë që shton qarkullimin e bizneseve, e përfundimisht edhe nevojën për rritje të punësimit. Ngjashëm edhe buxheti i shtetit, përderisa në të kaluarën shërbente për pasurimin e disave, tani orientohet për shtesat e lehonave, shtesat e fëmijëve, mbështetje për studentë e pensionistë, barna esenciale, mbështetje për bujqit, por edhe siguri e mbrojtje. Qeveria për të gjithë!”, shkroi ministri i Financave.

Shpërndaje në: