Guvernatori Ismaili paralajmëron ndjekje penale për ata që tregtojnë me dinar

Guvernatori Ismaili paralajmëron ndjekje penale për ata që tregtojnë me dinar

Ndjekje penale për ata që paguajnë me dinar serb, ka paralajmëruar guvernatori i Bankës Qendrore, Ahmet Ismaili. Në një intervistë për Kosovapress, ai ka thënë se për ta rritur përfshirjen financiare në veri, BQK-ja ka ndërmarrë masa dhe se aktualisht në këtë pjesë operojnë 34 institucione bankare dhe jobankare
Guvernatori i Bankës Qendrore (BQK), Ahmet Ismaili, ka theksuar të shtunën se edhe në veri të Kosovës, nuk mund të kryhen ligjërisht pagesa në valuta të tjera, përpos në euro.

Në një intervistë për Kosovapressin, ai ka thënë se nuk do të ketë përjashtim për dinarin dhe se pa lejen e Kosovës, as valuta serbe nuk mund të transportohet e të hyjë në kufi.

“Për ne kjo konsiderohet çështje e mbyllur. Me rregullativën e re që është në fuqi, transaksionet nga institucionet e palicencuara nuk mund të kryhen dhe nuk mund të ketë kalim të kufirit të asnjë valute, pa lejen e BQK-së. Pra, askush nuk mund të transportojë kesh. Dhe sigurisht që si mjet pagese është vetëm euroja. Banka Qendrore nuk është që monitoron me inspektorë në terren në transaksione private, por në aspektin e sektorit financiar ekziston veç një valutë – mjet pagese është vetëm euroja”, ka thënë guvernatori Ismaili.

Ai ka paralajmëruar qytetarët që paguajnë me valuta të jashtëligjshme, se mund të ndiqen penalisht.
“Të mos harrojmë se kryerja e pagesave me valuat të palejuara, qoftë dinar apo tjetër, e ekspozon në mosnjohjen e asaj pagese. Pra nuk është e vlefshme ligjërisht, nuk ka asnjë mbrojtje ligjore për të dhe për rrjedhojë, mund të përbëjë element për ndjekje ligjore”, ka thënë Ismaili.

Guvernatori ka theksuar se Serbia nuk ka shprehur interesim për komunikim, as pasi BQK-ja e ka miratuar rregulloren e re. Ai ka thënë se prej atëherë, institucioni që drejton ka ndërmarrë masa që përfshirja financiare në veri të rritet.

“Tashmë kemi 34 institucione, banka dhe jobanka, që operojnë në veri. Kemi edhe një degë të re bankare në Leposaviq. Pra, ideja është që nga funksionimi me institucione ilegale, dhe që kanë ekspozuar ndaj rreziqeve vet qytetarët, të ketë alternativa në institucione legale dhe institucione financiare në veri. Jemi të përkushtuar që qasja në financa të jetë për të gjithë qytetarët dhe atje të trajtohen njësojë sikur të gjithë”, ka thënë Ismaili.

Pas miratimit të rregullores së re të BQK-së, nga 1 shkurti është ndaluar përdorimi i dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Rregullorja, që parasheh euron si valutë e vetme për kryerjen e pagesave, është kundërshtuar fuqishëm nga Serbia.

Shpërndaje në: