Haradinaj: Sot bëhen 6 vjet nga një prej takimeve më të rëndësishme të karrierës, Sekretari Mattis i tha PO krijimit të Ushtrisë së Kosovës
Ish-kryeministri i Kosovës dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar takimin që ka pasur para gjashtë vitesh me James Mattis, atë kohë Sekretar i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Haradinaj thotë se ky ka qenë një ndër takimet më të rëndësishme të karrierës së tij politike, kur Sekretari Mattis i kishte thënë po kërkesës për krijimin e Ushtrisë së Kosovës.
Kandidati për kryeministër në zgjedhjet që do të mbahen në shkurt të vitit të ardhshëm ka thënë se krijimi i ushtrisë ka qenë hap kyç drejt forcimit të shtetësisë së Kosovës.
“Arritjet tona si shtet janë fryt i ndërtimit të raporteve të ngushta e të sinqerta me miqtë tanë perëndimorë, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin tonë më të madh. Sot, bëhen 6 vjet nga një ndër takimet më të rëndësishme të karrierës sime politike, takimi me Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes, James Mattis. Në këtë takim, Sekretari Mattis, i tha PO insistimit tim për krijimin e Ushtrisë së Kosovës, një hap kyç drejt forcimit të sovranitetit dhe sigurisë së shtetit tonë.
Mirënjohje ndaj ShBA dhe Sekretarit Mattis për mbështetjen e pakursyer!”, ka shkruar Haradinaj.