Izraeli godet selinë e Hezbollahut, në shënjestër udhëheqësi i grupit militant
Ushtria izraelite goditi selinë e Hezbollahut në Bejrut të premten me një numër sulmesh të mëdha që kishin në shënjestër udhëheqësin e grupit militant, duke shkatërruar shumë ndërtesa të larta apartamentesh. Këto shpërthime të mëdha në kryeqytetin libanez, të shaktuara nga sulmet izraelite, duket se ka gjasa ta çojnë konfliktin më pranë një lufte në shkallë të gjerë. Të paktën gjashtë persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, tha ministria e shëndetësisë e Libanit. Numri i viktimave pritet të rritet.
Udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah ishte objektivi i sulmeve në selinë e grupit, sipas dy personave të njohur me këtë çështje, të cilët folën në kushte anonimiteti, duke përfshirë një zyrtar amerikan. Ushtria izraelite nuk pranoi të komentojë. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse Hassan Nasrallahu ndodhej brenda godinës, dhe Hezbollahu ende nuk ka bërë komente për këtë çështje.
Pas sulmeve, kryeministri Benjamin Netanyahu ndërpreu papritur një vizitë në Shtetet e Bashkuara për t’u kthyer në Izrael. Disa orë para sulmit, ai iu drejtua OKB-së, duke u zotuar se fushata e intensifikuar e Izraelit kundër Hezbollahut do të vazhdojë, duke zbehur më tej shpresat për arritjen e një armëpushimi të mbështetur nga komuniteti ndërkombëtar.
Lajmi për shpërthimet erdhi ndërsa kryeministri Netanyahu po jepte një konferencë për gazetarët pas fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Një ndihmës ushtarak i pëshpëriti atij në vesh dhe zoti Netanyahu e përfundoi shpejt konferencën për shtypin.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, admirali Daniel Hagari, tha se sulmet kishin në shënjestër shtabin kryesor të Hezbollahut, duke thënë se ai ndodhej nën tokë poshtë ndërtesave të banimit.
Sipas agjencisë kombëtare të lajmeve të Libanit, seria e shpërthimeve rreth mbrëmjes ka kthyer në gërmadha gjashtë ndërtesa të larta apartamentesh në Haret Hreik, një lagje me popullsi të dendur, kryesisht shiite në periferi të Bejrutit.
Në një shkallë të paparë në konfliktet e kaluara, Izraeli javën e kaluar filloi përpjekjet për të vrarë udhëheqjen e lartë të Hezbollahut. Por një përpjekje për të vrarë Hassan Nasrallahun, e suksesshme apo jo, do të ishte një përshkallëzim i madh. Pentagoni tha se Shtetet e Bashkuara nuk kishin marrë asnjë paralajmërim paraprak për sulmet.
Hassan Nasrallah është fshehur prej vitesh, duke u shfaqur shumë rrallë në publik. Ai mban rregullisht fjalime, por gjithmonë me video nga vende të panjohura. Zona e goditur të premten në mbrëmje nuk ishte e njohur publikisht si selia kryesore e Hezbollahut, megjithëse ajo ndodhet në “lagjet e sigurisë” të grupit, një pjesë e mbrojtur mirë e lagjes Haret Hreik, ku grupi militant ka zyra dhe drejton disa spitale aty pranë./VOA