Social-Demokracia e Kurtit, rrugë suksesi apo utopi që rrezikon të ardhmen e Kosovës

Social-Demokracia e Kurtit, rrugë suksesi apo utopi që rrezikon të ardhmen e Kosovës

Shkruan: Shenoll Muharremi

Kryeministri Kurti sot kishte deklaruar se “ne (Kosova) si shtet socialist e socialdemokrat”.. Këtë e kishte thënë KM sot në një fjalim të tij në NYC. Kjo më bënë përshtypje shumë se ka të bëjë më orientimin e vendit tonë dhe ardhërinë e saj. Mesiguri Albin Kurti për vete e shef Kosovën si shtet Socialist dhe Socialdemokrat.

Në parim, këtu nuk ka asgjë të keqe. Me qenë vend social demokrat është mirë shumë për shkak se ke shpërndarje më të mirë të mirëqenies dhe mundësi të barabarta. Rrjedhimisht, nga kjo bazë ideologike, Kurti sot edhe zhvillon dhe drejton politkat publike qeveritare në Kosovë.

Në këtë kornizë dhe mindset vitet e fundit qeveria dhe Kurti bënë ndarjen e buxhetit publik dhe gjithashtu vendosë për investime ku të shkojnë e ku jo. Të gjitha politikat publike aplikohen me këtë paradigmë. Përatë politikat sociale kanë arritur kulmin ndërsa ato që ndihmojnë bizneset janë më të ulta ndonjëherë krahasuar me përqindje të buxhetit/resurseve.

Këtu e kemi një problem kontekstual. Përderisa është mirë me qenë vend ‘social-demokrat’, ti fillimisht duhesh me pas resurse për me u bë ‘social’. Duhesh njëherë me u bë i pasur, që pastaj me pas cfarë me shpërnda. Përndryshe ti po rrezikon të humbasësh të gjitha që ke.

Cka dmth kjo? Kjo nënkupton që nëse ti je vend i varfur dhe nëse ti po ndanë ndihma sociale, ti po e varfëron vendin edhe më shumë. Kështu ‘social-demokracia’ nuk është ideologji dhe model i mirë për vend të varfëra me ekonomi e buxhete të vogla. Për Suedi funkskonon shumë mirë, për Kosovë jo. Së paku jo në këtë fazë.

Kështu, si ‘viktimë’ e kësaj ideologjie në kontekst të gabuar, ne e thellojmë varfërinë. Si bëhet kjo? Kjo bëhet saktësisht duke rritur ndihmat sociale të cilat tash i kalojnë 30% të buxhetit publik të Kosovës. E këto mjete, në vend se të shkojnë për rritje të bizneseve dhe sektorit privat, ato stimulojnë konsumin. E në strukturë ekonomike si të Kosovës, rritet importi, bizneset vendore ndëshkohen me këto politika dhe vendime.

Kjo saktësisht ka ndodhur. Duke zvogëluar investimet kapitale dhe tek sektori privat e bizneset dhe duke rritur ndihmat sociale, brenda disa viteve është dyfishuar importi. Më e keqja, është dyfishuar edhe deficiti tregtar që tash ka arritur 5 miliardë euro, apo 50% e ekonomisë vjetore. Kjo tash nënkupton që gjysma e ekonomisë tonë po ikën e rrjedhë, humbë, jashtë vendit secilin vit.

Si rezultat, varfëria po rritet, kosovarët po migrojnë jashtë vendit me dhjetëra mijëra persona në vit si dhe nuk po kemi investime të huaja. Inflacioni po na shkatërron fuqinë blerëse të familjeve të cilët janë të gjunjëzuar tashmë.

Social-demokracia, ose politikat e majta në një kontekst ekonomik të gabuar, po e rrënojnë vendin dhe ekonominë nga brenda. Prandaj, social-demokracia nuk është për vende dhe ekonomi të varfëra. Fillimisht duhet të ndihosh ekonominë dhe sektorin privat e tek pastaj të kesh cfarë të ndashë me tjerët. E kur ti ato pak resurse që i ke i harxhon dhe alokon në politika që nuk ndihmon ekonominë dhe bizneset tuaja, ti po e shkatërron dhe rëndon ekonominë edhe më shumë.

Kështuqë, nuk është lehtë të bëhesh social demokrat. Duhet të punosh dhe të i fitosh ato para dhe resurse që dëshiron me i nda me tjerët që nuk i kanë fituar vet. E nëse vazhdimisht jau merr djersën biznesve dhe nuk i kthen asgjë, ti po shkatërron arkën që siguron bukën tënde.

Në fund, nëse vazhdon kështu, nuk do të kemi as biznese e as shtet, se qeveria nuk mund të funksionoj pa biznese. Përatë, fillimisht rriti e fuqizoj bizneset dhe sektorin privat, pastaj bëhu social-demokrat. Ska të keqe asgjë nga social-demokracia, por kjo duhet të fitohet me djersë, nuk është një zgjidhje që mund të bëjë secili që do. Përndryshe, social-demokracia në kontesktin aktual ekonomik të Kosovës rrezikon që të gjithë të përfundojmë të barabartë… por ‘të barabartë në varfëri’.

Shpërndaje në: