Gjiganti nga Prishtina për 7 milionë euro përvetëson përfaqësinë e fabrikes së xhamit në Bullgari
Kompania kosovare “Gitor Sh.p.k” blenë në vlerë prej 7 milionë eurosh, përfaqësinë për Kosovë të një kompanie bullgare të xhamit.
Kompania kosovare “Gitor Sh.P.K” që udhëhiqet nga biznesmeni Bledian Ramadani besohet se ka blerë në vlerë prej shtatë milionë eurosh përfaqësinë për Kosovë, të një fabrike të xhamit në Bullgari.
“Gitor SH.p.k” një nga kompanitë më të fuqishme të tregtisë së xhamit në Ballkan, besohet se ka marrë përfaqësinë nga një kompani ekzistuese që më parë bënte distribucionin e produkteve të kompanisë bullgare në Kosovë.
Megjithatë, ky informacion ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Për çështje nuk ka folur as pronari i Gitor Sh.P.K. Bledian Ramadani.
“Nuk ndodhem në Kosovë” i ka thënë shkurt redaksisë ai.
Burime jo zyrtare thonë se Gitor Sh.p.k ka përfunduar një marrëveshje të fuqishme në vlerë prej 7 milionë eurove, për të zëvendësuar këtë kompani, mirëpo duke mos i ndalur furnizimin.
Sipas informatave, për çdo metër xham të importuar nga ish kompania që shiste më parë, Gitor do të përfitojë fitim në përqindje nga fabrika e xhamit në Bullgari.
Kështu duke marrë kontrollin e plotë të përfaqësisë së asaj kompanie për gjithë rajonin (emri i cilës nuk është bërë publik), kompania kosovare ka forcuar pozitat e saj si lider në tregun e xhamit në Kosovë dhe Ballkan.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Gitor e ka realizuar këtë ‘marrëveshje’ në mënyrë të drejtë apo nëse ka pasur presione apo manovra tregtare që kanë ndikuar në largimin e operatorit të mëparshëm.
Nëse gjithçka konfirmohet, Gitor Shpk do të ketë siguruar një tjetër avantazh të madh konkurrues, duke kontrolluar në mënyrë të pakundërshtueshme furnizimin dhe distribuimin e produkteve të xhamit në tregun kosovar.