Kurti takohet me O’Brienin e Lajçakun: Marrëveshja Bazike dhe Aneksi duhet të zbatohen të plota
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në New York, ka takuar ndihmës Sekretarin e Shtetit, James O’Brien dhe emisarin e Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak.
Gjatë takimit me ta, Kurti ka ritheksuar edhe njëherë përkushtimin dhe angazhimin konstruktiv në procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas parimeve të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksin e saj.
“Kryeministri Kurti gjithashtu nënvizoi përkushtimin e tij për bashkëpunim rajonal mbi parimet e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së barabartë në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ritheksoi përkushtimin dhe angazhimin konstruktiv në procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sipas parimeve të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksin e saj, që duhet të zbatohet e plotë. Kryeministri ndër të tjera theksoi së Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar maksimalisht edhe në vazhdimësi në ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët e saj pa dallim dhe për krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë në të cilin respektohen të drejtat e qytetarëve dhe ligjit i Republikës”, thuhet në komunikatë.
Njëherit, bëhet e ditur se gjatë takimit kanë diskutuar edhe rreth zhvillimeve të fundit në vend.
Po ashtu, Kurti ka deklaruar se Qeveria e tij është e angazhuar vazhdimisht në ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët e saj dhe për krijimin e një ambienti të sigurtë për të gjithë.
“Diskutuan rreth zhvillimeve të fundit në vend, krahas atyre në lidhje me procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe bashkëpunimit rajonal në prag të samitit të radhës të Procesit të Berlinit, që do të shënojë gjithashtu 10-vjetorin jubilar të këtij procesi të rëndësishëm për integrimin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet tutje në komunikatë.