Korenica i reagon Konjufcës: S’bëj fushatë me bindjet e mia, nuk marr pjesë në asnjë votim pa u kthy vajza në shkollë
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, ka reaguar pas përplasjes që pati me kryekuvendarin, Glauk Konjufca, në seancën e sotme të Kuvendit, lidhur me rastin e maturantes në Pejë e cila u largua nga shkolla për shkak të shamisë.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Korenica ka thënë se nuk merr pjesë në asnjë votim derisa të kthehet vajza në shkollë.
Më tej ai i është kundërpërgjigjur Konjufcës i cili tha se fushata zgjedhore fillonë më 6-7 janar, duke thënë se nuk bën fushatë me bindjet e tij.
“Unë nuk do të marr pjese në asnje votim pa u kthyer vajza në shkollë! Sot në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kërkova që të mos vazhdohet me seancë pa u kthyer në shkollë një vajze mbi 18 vjeçare, e cila është larguar padrejtësishtë që nga 1 shtatori. Udhëzimi administrativ është i jashtëligjshëm, qeveria është përgjegjëse për ndryshimin e tij. Besoj deri sot e kam dëshmuar që nuk bëj fushatë me bindjet e mija”, shkroi Korenica.
Ndryshe, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, deputeti Korenica ka përmendur rastin e 18-vjeçares në Pejë e cila u përjashtua nga shkolla për shkak të shamisë, ndërsa i çoi edhe mesazh ministres së Arsimit, Arbëri Nagavcit që ta trajtojë rastin.
Korenica tha se një gjë e tillë është përgjegjësi kolektive dhe se ky problem nuk duhet të paraqitet më.
“Duhet ta dini që ka katër javë që një vajzë nuk po vijon mësimin në Pejë. Çdo tretën ditë përjashtohet nga drejtori. Nuk e di sa e drejtë është që edhe vetë ministrja të mos mirret me rastin. E kemi përgjegjësi kolektive, dhe nuk ka kuptim me vazhdu procesin e votimin dhe mos me e trajtu këtë rast dhe me i jep të drejtën për shkollim dhe arsimim. I çoj mesazh drejtpërdrejt ministres së Arsimit të mirret me rastin dhe të mos lejojë të njëjtat probleme me u paraqit”, tha Korenica para deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
Por, lidhur me këtë, duke qenë se ishte deklarim jashtë rendit të ditës, kryekuvendari Konjufca i tërheqi vërejtjen deputetit të VV-së.
Ai madje i tha që fushata fillon nga 6-7 janari dhe ai ka kohë të mjaftueshme për t’i ngritur problemet.
“Unë si kryetar jam duke ta tërhequr vërejtjen qe ishte jashtë rendit të ditës. Besoj që fushata fillon kah 6-7 janari dhe e keni gjihë kohën e mjaftueshme për m’i ngrit të gjitha problemet”, i tha Konjufca, deputetit të VV-së.