Ishte pranë vdekjes, portieri i njohur rikthehet në aksion
Sergio Rico pritet të përfundojë një transferim të lirë te Al-Gharafa në Ligën e Yjeve të Katarit, 16 muaj pasi gati sa nuk humbi jetën.
Portieri, i cili bëri 29 paraqitje në Premier League për Fulham në sezonin 2018-19 pësoi një dëmtim serioz në kokë në maj të vitit të kaluar gjatë një aksidenti me kalë.
Rico kaloi tre javë në koma, ndërsa një raport mjekësor pohoi se ai kishte qenë ‘gjysmë centimetri’ larg vdekjes.
Në atë kohë, ai ishte nën kontratë me Paris Saint-Germain, por u largua nga skuadra franceze në qershor të këtij viti pas përfundimit të kontratës.
Rico, 31 vjeç, nuk ka luajtur në një ndeshje zyrtare që nga maji 2022, kur ishte në huazim te Mallorca në La Liga.
Megjithatë, pritet të kthehet në fushë muajin e ardhshëm, sapo të përfundojë transferimin e tij te Al-Gharafa.
Mësohet se Rico do të udhëtojë në Katar të mërkurën për të përfunduar transferimin e tij.
Al-Gharafa do të jetë ekipi i pestë në karrierën e Rico-s, e cila filloi me ekipin e tij të qytetit, Sevilla.
Ai fitoi dy herë Ligën e Europës me Sevillan, përpara se të shtonte gjashtë trofe të tjerë gjatë kohës së tij te PSG.
Al-Gharafa përfundoi në vendin e tretë në Ligën e Yjeve të Katarit sezonin e kaluar, çka ishte e mjaftueshme për t’u kualifikuar për Ligën e Kampionëve të AFC-së.