Gërvalla takon homologun grek, diskutojnë për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan
Kryediplomatja, Donika Gërvalla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Giorgos Gerapetritis, u takuan në kuadër të sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, për të biseduar rreth forcimit të partneritetit mes dy vendeve dhe situatës së përgjithshme në Evropë dhe në Ballkan.
Në këtë takim Gërvalla nënvizoi përkushtimin e Kosovës për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi ekonomik me Greqinë, duke e vlerësuar lart mbajtjen e forumit të përbashkët ekonomik si një platformë për nxitjen e investimeve të ndërsjella dhe krijimin e mundësive të reja për rritjen ekonomike të të dyja vendeve.
Dy ministrat biseduan edhe rreth bashkëpunimit rajonal në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan si dhe proceset integruese euroatlantike të Republikës së Kosovës.