Polici që ishte me Bunjakun: E tërhoqëm mes plumbave, u përpoqëm që t’u mbijetojë plagëve
Zyrtari i Policisë së Kosovës, Mirsad Kryeziu, i cili ishte pranë heroit Afrim Bunjaku në momentet e fundit të jetës së tij, ka rrëfyer detaje për sulmin terrorist në Banjskë, e po ashtu e ka përkujtuar kolegun e tij tashmë të ndjerë.
Në akademinë përkujtimore për Afrim Bunjakun, ai ka thënë se atë nuk do ta harrojë asnjëherë në jetë.
“Pata fatin e mirë që e kam takuar, dhe krenarinë time të madhe që të mos e harrojë asnjëherë në jetë, jemi njoftuar si dy përgjegjës të ekipeve, pas komunikimit që zhvilluam, filluam kontrollimin e perimetrit ku ishin vendosur kamionët”, u shpreh ai.
Tutje, Kryeziu tregoi detaje se si kishte filluar sulmi në Banjskë.
“Nga grupi serb u aktivizua një mjet shpërthyes në pjesën ku ishte Afrim Bunjaku në ato moment filluan të shtëna në drejtimet tona, ndonëse të sfiduar nga errësira jemi përgjigjur më zjarr, kam vërejtur se është plagosur rëndë Afrim Bunjaku, edhe kolegu Alban Rashiti që ishte afër”, tha ai.
Mes tjerash, Mirsad Kryeziu rrëfeu edhe për përpjeket që kishin bërë për ta shpëtuar Bunjakun.
“Mes breshërish të plumbave kemi arritur të tërheqim Bunjakun për trajtim, jemi përpjekur jashtëzakonisht shumë që t’u mbijetojë plagëve, por për fat të keq nuk ia kam dalë, sa më shumë tërhiqja aq më shumë shtoheshin të shtënat”, potencoi ai.