Prokuroria kërkon nga Apeli që rastin ndaj dy zyrtarëve policorë ta kthejë në rigjykim

Prokuroria kërkon nga Apeli që rastin ndaj dy zyrtarëve policorë ta kthejë në rigjykim

Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka kërkuar nga Gjykata e Apelit, që rasti ndaj zyrtarëve policorë, Rrustem Mehmeti dhe Teuta Mulliqi, të cilët akuzohen për keqtrajtim gjatë detyrës, të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim dhe rivendosje.

Prokuroria përmes ankesës pretendon se Gjykata Themelore e Mitrovicës ka bërë vërtetim të gabuar të gjendjes faktike lidhur me lirimin nga akuza të të akuzuarës Mulliqi, pasi që nga administrimi i provave del se e njëjta ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, ndërsa për të akuzuarin Mehmeti, prokuroria ka ankimuar me arsyetimin se dënimi i shqiptuar nuk është adekuat me peshën e veprës penale dhe pasojat e shkaktuara, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, ndaj vendimit të Themelores, ankesë ka parashtruar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Mehmeti, avokati Gazmend Smajli, me pretendimin se gjykata e shkallës së parë e ka dënuar gabimisht të mbrojturin e tij e pasi që sipas tij, nuk ka arritur që të provohet se i njëjti ka kryer veprën penale, duke kërkuar që aktgjykimi i shkallës së parë të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim.

Më pas kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Ferit Osmani, njoftoi palët që brenda afatit do të pranojnë vendimin e kësaj gjykate.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Mitrovicë më 23 shtator 2023 të akuzuarin Rrustem Mehmeti i kishte shqiptuar dënim me 3 mijë euro gjobë për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”. Ndërsa e akuzuara Teuta Mulliqi ishte liruar nga akuza.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 20 shtator 2021 ka ngritur aktakuzë kundër Rrustem Mehmetit dhe Teuta Mulliqit, me arsyetimin se më 24 gusht 2020, në zyrën e Stacionit Policor në Mitrovicë – Jug, me keqpërdorim të detyrës ose autorizimit kanë keqtrajtuar, frikësuar dhe e kanë ofenduar rëndë dinjitetin e personit tjetër, të dëmtuarit N.B.

Sipas aktakuzës, me rastin e marrjes në pyetje të të dëmtuarit N.B në zyrën e Teuta Mulliqit, pasi që i njëjti kishte kërkuar që t’i sqarohet se për çfarë arsye është ftuar dhe duke iu thënë që nuk dëshiron të japë deklaratë pa prezencën e avokatit, nuk iu kanë lexuar të drejtat e tij, ndërsa të akuzuarit kanë filluar t’i bëjnë presion dhe dhunë fizike që të japë deklaratë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Rrustem i ka thënë: “cilin avokat po e do, Tomën apo Rrecaj, çfarë filozofi je ti, mësuesit si ti na kanë sjellë këtu ku jemi tani”. Ndërsa, përreth një orë nuk iu është siguruar avokati.

Gjithnjë sipas aktit akuzues, i pandehuri Rrustem Mehmeti dy herë e kishte goditur në pjesën e qafës pas kokës, duke kryer dhunë fizike, ndërsa e pandehura Teuta me këtë rast në mënyrë ironike kishte qeshur.

Tutje, thuhet se polici Rrustem ia kishte vendosur shufrën tek goja dhe i kishte thënë që do t’ia thyej dhëmbët apo eshtrat, ndërsa tërë ngjarjen i dëmtuari N.B. e ka incizuar me telefon mobil.

Prandaj, me këtë akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, nga neni 195, par.1 i KPRK-së, në lidhje me nenin 31 të KPRK-së.

Shpërndaje në: