Sulmi terrorist në Banjskë, nesër mbahet seanca ndaj 45 të akuzuarve
Të mërkurën (25 shtator) do të nisë seanca gjyqësore ndaj 45 të akuzuarve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.
Tre prej tyre ishin arrestuar gjatë muajit shtator të vitit të kaluar dhe gjenden në paraburgim, ndërsa Milan Radoiçiq dhe tjerët janë në Serbi.
Seanca do të nisë rreth orës 09:30, kështu ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.“Ju njoftojmë se seanca fillestare në këtë çështje penale është caktuar të mbahet me datë 25 shtator 2024, në ora 09:30”, tha ajo.
Ndryshe, sot më 24 shtator 2024 është bërë një vit nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, një tjetër u plagos dhe një u lëndua.
Vetë Radoiçiq, përmes avokatit të tij kishte pranuar se ishte organizator dhe pjesëmarrës në sulm.
Deri tani, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 45 personave, ndërkaq ata akuzohen për veprat penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Shpëlarje e parave”.