Ish zv/ministri i Brendshëm për sulmin në Banjskë: Qeveria nuk po arrin ta përdor për ta shpërfaqur fytyrën e vërtetë të Serbisë
Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i armatosur serbësh ka sulmuar policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Në shkëmbimin e zjarrit që ka pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.
Krerët e shtetit e kanë fajësuar vazhdimisht udhëheqjen e Serbisë për këtë sulm, edhe pse këta të fundit e kanë mohuar përgjegjësinë.
Akuza ka pasur, mirëpo në aspektin diplomatik, sulmi terroristë nuk është shfrytëzuar nga Qeveria.
Kështu të paktën po thotë ish – zëvendësministri I Brendshëm, Valdet Hoxha.
“Fatkeqesisht rasti i sulmit terrorist në Banjskë nuk është shfrytëzuar sa duhet nga Qeveria në aspektin politiko-diplomatik për ta vënë në pah në mënyrë të plotë e të qartë organizimin, mbështetjen financiare, logjistike e mundësinë e trajnimeve për këtë grup terrorist nga një strukture e mirëorganizuar e që sipas të gjitha rrethanave dhe provave lidhet me shtetin e Serbisë”, u shpreh Hoxha.
Ai tha se mosndëshkimi i Serbisë, dhe në anën tjetër paralajmërimi për ashpërsim të masave ndaj Kosovës, ka ardhur si pasojë e diplomacisë jo të duhur me aleatët ndërkombëtar.
“Një vit pas ketij rasti ende nuk ka asnjë masë kundër Serbisë, ndërsa në anën tjetër masat e vendosura ndaj Kosovës jo vetëm që nuk janë hequr por Kosova ështe përballur edhe me mundësinë e ashpërsimit të masave. E gjitha kjo besoj që ka ardhur si rezultat i një politike dhe diplomacie jo të duhur dhe si pasojë e moskoordinimit me partnerët ndërkombëtar. Edhe pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale, nuk po shohim ndonjë aktivitet diplomatik të Qeverisë për ta vënë në pah fytyrën e vërtetë të Serbisë në raport me rastin Banjska”, deklaroi ish-zëvendësministri Hoxha.
Hoxha kritikoi Qeverinë që kjo Qeveri nuk po arrin të shpërfaq fytyrën e vërtetët të Serbisë.
“Rasti Banjska është sulm ndaj rendit kushtetues të Republikes së Kosovës nga një strukturë e mirëorganizuar, mirëfinancuar, mirëtrajnuar dhe me qëllim aneksimin në një pjesë të territorit të Republikës së Kosovës për të ia bashkangjitur Serbisë, dhe të gjitha këto elemente kanë një emërues të përbashkët – organizimin dhe dijeninë e Serbisë, e që fatkeqësisht institucionet e vendit tonë nuk arritën dhe as sot nuk po arrijnë ta përdorin për ta shpërfaqur fytyrën e vërtetë të Serbisë si sponzorizuese e tensionit, konflikteve, sulmeve e pa përjashtur as luftën”, u shpreh ai për Periskopin.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Kosovës para dy jave njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave – në mesin e tyre edhe Millan Radoiçiq, për sulmin e armatosur në Banjskë./Periskopi