Shqiptarja mahnit jurinë me paraqitjen në X Factor të Italisë
Ajo kërcen, këndon rap dhe ka një talent të jashtëzakonshëm në muzikë.
23-vjeçarja me origjinë shqiptare, e cila jeton në Pordenone të Italisë, Laura Fetahu ka shkëlqyer gjatë audicioneve për X Factor 2024.
Pasionin për muzikën e përcolli nga nëna e saj, e cila dëgjoi Whitney Houston, Amy Winehouse dhe Bob Marley.
Për të kaluar përzgjedhjen e parë të gjyqtarëve dhe për t’u bërë pjesë e programit, Laura Fetahu propozoi një version të “Super Bass” nga Nicki Minaj.
Në fund, ajo i bindi të gjithë gjyqtarët pas një performance shpërthyese që emocionoi edhe vëllanë e saj të vogël, i cili e shikonte në prapaskenë.
“Mirë, më shtangët pak. Nuk e prisja që një qenie e vogël si ju ta lëshonte gjithë këtë zë”, tha këngëtarja Paola Iezzi, që gjendej në panel të jurisë.
“Në fillim isha pak skeptik, le të themi dhjetë sekondat e para, më pas kur të dëgjova të këndosh, thashë se vajza është e përgatitur. Ndoshta deri më sot nuk e kishim dëgjuar ende këtë gjë. Interesante”, tha këngëtari italian Achille Lauro.
“Je shumë mirë, duhet të ecësh përpara dhe të kuptosh se çfarë mund të bësh, por patjetër duhet të ecësh përpara”, shtoi Manuel Agnelli.
Bukuroshja kaloi kështu audicionet dhe shkoi direkt në ‘Bootcamps’. Aventura e saj në X Factor 2024 ka nisur zyrtarisht dhe është e gjitha për t’u përjetuar dhe ndjekur.
Dhe kjo nuk është shqiptarja e vetme që ka mahnitur jurinë në këtë kompeticion, pasi ka pasur edhe shumë yje të tjerë që kanë bërë bujë e janë përfolur gjithandej nëpër botë.