I dyshuari për vrasjen në qendër të Mitrovicës në kërkim, policia tregon çka gjeti në banesën e tij
Valdrin Salihu është i dyshuari kryesor që po kërkohet për vrasjen makabër në rrugën “Fatime Hetemi” në Mitrovicë. Për të policia ka kërkuar bashkëpunim me qytetarët për lokalizimin dhe arrestimin e tij. Policia ka bërë të ditur edhe se ka bastisur banesën e tij.
Policia e Kosovës përmes raportit ditor bën të ditur se të dyshuarit Valdrin Salihu iu është bastisur banesa. Përgjatë kontrollit është sekuestruar një pistoletë dhe 205 fishekë me tre karikatorë.
“VRASJE- Mitrovicë Jugu / 20.09.2024 – 09:45. Pas hetimeve të zhvilluara lidhur me rastin është identifikuar i dyshuari kosovar dhe gjatë kontrollit në banesën që është shfrytëzuar nga i dyshuari është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, tre karikatorë dhe 205 fishekë. I dyshuari është në kërkim policor dhe rasti po hetohet nga njësitet kompetente policore“, thuhet në njoftimin e policisë.