Serwer: Dialogu mund të vazhdojë vetëm për çështje teknike, jo edhe për ato politike

Serwer: Dialogu mund të vazhdojë vetëm për çështje teknike, jo edhe për ato politike

Masat që i prezantoi Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për gjoja mbrojtjen e serbëve të Kosovës, në prizmin e Daniel Serwer, Profesor në Universitetin “Johns Hopkins” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), bëjnë të qartë një gjë: dialogu mund të vazhdojë vetëm për çështje teknike, por assesi për ato politike.

Në një adresim për popullin serb në fund të javës së kaluar, Vuçiq kërkoi kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, përfshirë kthimin e tyre në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për Veriun, kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale në katër komunat Veriore të Kosovës – ndonëse kishte qenë vetë ai që i kishte urdhëruar serbët që të largohen nga të gjitha këto institucione.

Pos këtyre, ai kërkoi edhe formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga Veriu, por edhe mundësimin e transaksioneve të pandërprera të pagesave dhe shërbimeve postare.

Pasi që ka analizuar këto të ashtuquajtura kërkesa të kreut serb, Serwer, si përcjellës i hershëm i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, në një prononcim për Albanian Post, deshifron, sipas analizës së tij, mesazhin që ka dërguar Vuçiq.

“Presidenti Vuçiq e ka bërë të qartë se nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës”, mendon profesori amerikan.

Por, ky qëndrim, sipas Serwer-it, për Serbinë ka kosto, dhe nga ana tjetër ndërlidhet edhe me një çështje që Vuçiq e kërkon vazhdimisht për serbët e Kosovës: Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Kjo është një zgjedhje që përjashton anëtarësimin në BE për Serbinë gjatë kohës së tij në pushtet dhe do të thotë se Prishtina nuk do të pranojë Asociacionin”, pohon.

Me këtë situatë të krijuar, në vlerësimin e profesorit që ka target zhvillimet në Ballkan, dialogu Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, mund të vazhdojë, por, shton ai, “për çështje teknike dhe jo politike”.

Masat e presidentit serb janë komentuar edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH).

Duke mos dhënë një qëndrim të qartë në lidhje me to, nga DASH-i kanë thënë se e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë është në institucionet e Bashkimit Evropian dhe se dialogu mes tyre, i ndërmjetësuar nga Unioni, është e vetmja rrugë përpara.

Ky qëndrim i DASH-it është dhënë nga një zëdhënës për “Radio Evropa e Lirë”, ku ka theksuar se ShBA-ja “vazhdon të mbështesë fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si rrugë për të arritur një marrëdhënie paqësore dhe produktive ndërmjet dy vendeve”.

Ai u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që “të përmbahen nga retorika e mëtejshme përshkallëzuese, veprimet e pakoordinuara apo aktet legjislative që bien ndesh me normalizimin e marrëdhënieve të tyre ose që rrezikojnë stabilitetin dhe sigurinë”.

Ndërsa, në emër të BE-së, për këto masa, zëdhënësi Peter Stano, ka thënë se Unioni e mirëpret gatishmërinë e Vuçiqit për “angazhim konstruktiv” në dialog për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.

“Ne e mirëpresim gatishmërinë e shprehur nga presidenti Vuçiq për të vazhduar angazhimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pozitivisht e marrim edhe thirrjen e tij për serbët e Kosovës, që të marrin pjesë në zgjedhjet në Kosovë dhe të ri-integrohen në të gjitha institucionet e Kosovës, nga të cilat janë larguar në vitin 2022”, ka thënë Stano.

Masat dhe kërkesat e Vuçiqit janë komentuar edhe nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti nuk ka dilema se ato janë janë bërë nga dëshpërimi dhe paraqesin joracionalitet.

Para se të flitet për masat e kërkesat e Vuçiqit, kryeministri kërkoi që të flitet për kushtet që ai i kishte vënë para disa muajsh për vazhdimin e dialogut.

“Janë dorëzimi autoriteteve të Kosovës i Milan Radojçiqit, nënshkrimi i marrëveshjes dhe tërheqja e letrës së ish-kryeministres Ana Brnabiq, e cila tha që nuk e pranon as pavarësinë e Kosovës as ulën në OKB për Kosovën dhe as nuk e respekton integritetin territorial”, ripërsëriti Kurti kushtet e tij.

Pra këto tri kushte, në prizmin e tij, janë paqësore dhe racionale, ndërkaq ato kërkesat e Vuçiqit “masat që bëhen nga një dëshpërim dhe paraqesin joracionalitet e nuk janë aspak paqësore, por përkundrazi pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja që padyshim se nuk kanë vend as në Kosovë as në rajonin”.

Shpërndaje në: