“Masha e Kurtit” intervistohet nga Prokuroria: “Kori” i pushtetit pa zë, se thonë asnjë fjalë
Dejona Mihalit e njohur si “masha e Kurtit”, gjysma e ditës sot i shkoi në hapësirat e Prokurorisë Speciale, ku edhe u intervistua për dy raste të korrupsioneve të mëdha. Ani pse shumë shpesh përmes llogarisë së saj në Facebook ka sulmuar të madh e të vogël që fliste kundër partisë në pushtet, sot Mihali nuk bëri zë para atyre(gazetarëve) që dikur i sulmonte me lajme të rrejshme të medias boshnjake “Slobodna Bosna”. Njëjtë si Mihali të heshtur mbeten edhe deputet e anëtarë të partisë në pushtet. Periskopi ju sjell një përmbledhje të krejt asaj që ndodhi gjatë ditës…
Pasi Dejona Mihali doli nga Prokuroria Speciale, ajo nuk pati shumë për të thënë.
“Për të ndihmuar prokurorin në zbardhjen e të vërtetës. Do pysni prokurorin. Gjithë të mirat, mirë u pafshim. Punë të mbarë.” – u shpreh ajo para mediave.
Ndërsa, Prokuroria Speciale përmes një komunikate thanë se Mihali është duke u intervistuar në cilësinë e dëshmitares për disa çështje penale.
“Pas interesimit për të marr informacion nga një numër i madh i gazetarëve, Prokuroria Speciale informon se sot, Dejona Mihali, është paraqitur në Prokurorinë Speciale me ftesë të kësaj prokurorie. E njëjta është duke u intervistuar në cilësinë e dëshmitares për disa çështje penale, të cilat kjo prokurori i ka në hetim” – thuhet në njoftim.
Intervistimi i Dejona Mihalit solli shumë reagime, si nga opozita e analistë. Por, të heshtur mbeten nga partia në pushtet, të cilët zakonisht janë tejet të zhurmshëm kur të vjen puna për të sulmuar institucionet e drejtësisë.
Artan Abrashi ishte deputeti i vetëm që foli, por pa harruar të sulmoi Prokurorinë.
“Ka me pasë shumë akuza, ndoshta edhe arrestime, mirëpo ka vetëm një gjë: KJO ËSHTË ARMA E FUNDIT E OPOZITËS, PROKURORIA E KAPUR. S’ËSHTË ASNJË E VËRTETË!” – ka thënë deputeti i partisë në pushtet./PERISKOPI