KFOR: Britanikët po i testojnë shkathtësitë për reagim ndaj çdo situate sigurie
Kanë rreth 24 orë që kanë mbërritur në Kosovë, mirëpo nuk po pushojnë.
Është ky Regjimenti Mbretëror britanik nga Yorkshire, i cili mbrëmë aterroi në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, e i cili përbëhet nga mbi 300 ushtarë, të cilët do t’i bashkohen përkohësisht forcës rezervë të KFOR-it.
KFOR-i ka njoftuar se ata veçse i kanë nisur ushtrimet, të cilat kanë të bëjnë me fusha të ndryshme, por kryesore e kanë sigurinë.
“Regjimenti Mbretëror i Yorkshire nga Mbretëria e Bashkuar po teston shkathtësitë dhe procedurat e tyre për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë që mund të ndikojë në stabilitetin rajonal”, ka thënë KFOR-i në një njoftim në X.
Sipas këtij misioni, këto janë aktivitete të rregullta të cilat janë kyçe për të ruajtur gatishmërinë operative të KFOR-it dhe aftësinë për të vazhduar zbatimin e misionit të tyre.
“Stërvitja rutinë e Ushtrimit Operativ Trajnues, e cila ka nisur më 18 shtator dhe do të vazhdojë deri në fund të tetorit të vitit 2024, përfshin njësite nga misionit i KFOR-it i drejtuar nga NATO dhe nga forcat rezervë që kontribuojnë nga Regjimenti i Yorkshire i Mbretërisë së Bashkuar”, potencoi KFOR-i.