“Bon Vivant 2”, pala e dëmtuar thotë që aktakuza është e mangët

“Bon Vivant 2”, pala e dëmtuar thotë që aktakuza është e mangët

Në rastin ku Andi Pajaziti po akuzohet për vrasjen e K.R., më 4 gusht 2023, në lokalin “Bon Vivant”, përfaqësuesi i palës së dëmtuari, avokati Flakron Sylejmani në fjalën hyrëse ka deklaruar se aktakuza e Prokurorisë është e mangët dhe kërkoi që i akuzuari të ngarkohet për “Vrasje të rëndë” e jo “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore”.

Avokati Sylejmani tha se aktakuza është bërë me nxitim nga ana e Prokurorisë dhe se nuk janë kryer veprimet e nevojshme hetimore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Fillimisht, më lejoni të ju them se kemi analizuar me kujdes aktakuzën dhe për ne si mbrojtje, kjo aktakuzë ka mangësi thelbësore. Ajo duket se është bërë me nxitim, duke mos vlerësuar mirë rastin dhe duke mos kryer të gjitha veprimet hetimore të nevojshme”, ka thënë avokati Sylejmani.

Ai po ashtu tha se në aktakuzë nuk është propozuar asnjë dëshmitar, përfshirë edhe gruan e tani të ndjerit e cila sipas tij, do të mund të jepte detaje interesante lidhur me rastin, e të cilat detaje kanë rëndësi në ndriçimin e të vërtetës.

Sipas tij, vrasja ka ndodhur e planifikuar mirë dhe se nuk është e kryer nga tronditja e fortë mendore dhe se pak para incidentit i akuzuari Pajaziti kishte armë të gjatë automatike dhe se lokali ishte demoluar nga i njëjti.

Për momentin e gjuajtjes me armë, avokati Sylejmani tha se i akuzuari Pajaziti e ka pasur fishekun në tytë të armës, çka sipas tij, kuptohet se ka qenë i gatshëm për veprim.

Avokati Sylejmani sqaroi se do të propozojë nxjerrjen e provave materiale dhe dëgjimin e disa dëshmitarëve, në mënyrë që të ndriçohet e vërtetat lidhur me vrasjen e K.R.

Sipas tij, ekspertiza nuk ka treguar asnjë element që sugjerojnë një tronditje mendore, madje edhe vetë raporti tek pjesa e statusit psikik ka përshkruar Pajazitin si i vetëdijshëm, i orientuar dhe pa pengesa në artikulim.

Sylejmani tha se pjesëmarrja e një neurologu në hartimin e ekspertizës është thelbësore për të kryer një vlerësim të plotë dhe të saktë të gjendjes mendore të një individi dhe se në rastin konkret, mungesa e këtyre specialistëve ka çuar në një ekspertizë jo të plotë dhe jo të saktë si dhe të paqartë.

Paraprakisht, fjalën hyrëse e dha prokurorja e rastit, Nebahate Salihu, e cila tha se përmes deklaratës së ekspertit do të sqarohet se si ka ardhur deri te veprimi i të akuzuarit Pajaziti dhe do të vërtetohet se vrasja është kryer nga gjendja e tronditjes së fortë mendore.

Ndërsa, mbrojtësi i Pajaziti, avokati Fanol Krasniqi në fjalën hyrëse ka thënë se gjatë gjykimit do të provojnë se qëllimi i Pajazitit nuk ka qenë që ta lëndojë dikë dhe se përmes argumenteve do ta vërtetojnë këtë, e të cilat argumente sipas tij dikujt mund t’i sjellin shqetësime.

Avokati Krasniqi tha se po ashtu se situata është ndërtuar asisoj në lokal që të tensionohet (situata) dhe të ndodh sulmi.

Sipas avokatit Krasniqi, në fund të gjykimit do të vërtetohet se mungojnë elementet e veprës penale për çka Pajaziti akuzohet nga Prokuroria, me arsyetimin se në veprimet e tij nuk ekziston dashja dhe kundërligjshmëria.

Më pas, seanca është ndërpre me kërkesë të palës së dëmtuar, pasi që nuk kanë qenë të njoftuar se në seancë do të dëgjohet eksperti mjeko-ligjor, Arsim Gashi, duke kërkuar nga gjykata që t’i jepet kohë e mjaftueshme për të përgatitur pyetjet ndaj Gashit.

Një kërkesë e tillë është kundërshtuar nga mbrojtja e Pajaziti, avokatët Fanol Krasniqi dhe Florent Latifaj me arsyetimin se gjatë fjalës hyrëse të palës së dëmtuar është folur për ekspertizën, e që sipas tyre del se janë të përgatitur për të ballafaquar ekspertin me të njëjtën.

Mbrojtja shtoi se Pajaziti gjendet nën masën e paraburgimit dhe se shtyrja e kësaj seance është padrejtë për të.

Paraprakisht, gjykatësi i rastit Eroll Gashi ka aprovuar propozimin e Prokurorisë dhe palës së dëmtuar për dëgjimin e dëshmitarëve: Hisni Gecaj, Gëzim Zakuti dhe Nikollë Lleshaj.

Mirëpo, gjykatësi Gashi ka aprovuar kërkesën e palës së dëmtuar dhe seanca u ndërpre për të vazhduar në muajt në vijim.

Ndryshe, i akuzuari Pajazit edhe në këtë seancë është deklaruar i pafajshëm.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 21 qershor 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj Andi Pajazitit lidhur me vrasjen e 4 gushtit 2023 në lokalin “Bon Vivant”. Pajaziti ngarkohet për veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” pasi që sipas Prokurorisë nga tronditja që kishte marrë prej tani të ndjerit K.R., i akuzuari pa fajin e tij dhe pa menduar për pasojat e kishte nxjerrë armën dhe kishte shtënë në drejtim të K.R.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, më 4 gusht 2023, rreth orës 23:17 në lokalin “Bon Vivant” në Prshtinë, në të cilin paraprakisht ishte i pandehuri Dukagjin Lekaj i cili gjendet në arrati, së bashku me tani të ndjerin K.R., shkon i akuzuari Pajaziti, të cilin e fton Lekaj që të ulet në tavolinën ku ishte tani i ndjeri.

Aktakuza thotë se pasi që ulet Pajaziti dhe fillojnë të bisedojnë me Lekajn, pas pak fillon të tensionohet situata dhe duke parë që situata po tensionohet, afrohet sigurimi i lokalit Hisni Gecaj, i cili ia kapë dorën e djathtë të pandehurit Lekaj dhe mundohet ta qetësojë situatën, por në këtë moment tani i ndjeri K.R., i cili ishte mbrapa sigurimit, e godet me një shishe në kokë dy herë tani të akuzuarin Pajaziti.

Sipas aktakuzës, sigurimi Gecaj vazhdimisht ia mban dorën Lekajt, kurse Pajaziti pas goditjes nga tani i ndjeri e nxjerr armën nga brezi dhe pa i menduar pasojat godet në drejtim të tani të ndjerit K.R.

“…i pandehuri Andi Pajaziti pas goditjes, sulmit nga tani i ndjeri e nxjerr armën nga brezi nga ana e djathtë, për shkak të tronditjes së fortë mendore, pa fajin e tij, pa menduar për pasojat e nxjerr armën nga brezi nga ana e djathtë, shtinë me armë zjarri, me ç’rast godet tani të ndjerin K.R”, thuhet në aktakuzë.

Po ashtu, aktakuza thotë se armën e nxjerr nga çanta edhe i pandehuri Lekaj, gjatë kësaj kohe sigurimi ia mbante dorën duke u munduar t’ia largojë por nuk ka arritur, e Lekaj e kishte armën e drejtuar në drejtim të Pajazitit dhe shtie ndaj tij, duke i shkaktuar të akuzuarit Pajaziti lëndime të rënda në dorën e majtë.

Kurse, thuhet se vdekja e K.R., ka ardhur si pasojë e gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme, e cila ka çuar në shok hemorragjik, këto të shkaktuara nga arma e zjarrit.

Prandaj, për këto veprime Pajaziti po ngarkohet me veprën penale “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” sipas nenit 174 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Po ashtu, Pajaziti për shkak se në vendin e njëjtë kishte mbajtur në pronësi armën e tipit “Smith” në kundërshtim me ligjin. Andaj, po ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së.

Ndryshe, në këtë rast i ndaluar ishte edhe N.Ll., i dyshuar për veprën penale “Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprave penale”, të cilit më 5 shtator iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji. Të njëjtit, pas një muaji nga kjo masë, i është ndërprerë paraburgimi, pasi nuk kishte kërkesë nga Prokuroria për vazhdimin e paraburgimit. Kurse, Gëzim Zakuti dhe Hisni Gecaj, si të dyshuar për përfshirje në këtë rast, më 29 gusht 2023 ishin liruar nga masa e paraburgimit. I dyshuari tjetër për përfshirje në këtë rast, Dukagjin Nikollaj, gjendet në arrati.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht 2023 njoftoi se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale. Kurse, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka bërë fajtor sistemin e drejtësisë për vrasjen në “Bon Vivant”.

Lidhur me rastin e 4 gushtit, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës kishte njoftuar se 17 persona janë lënduar, kurse njëri prej tyre vdiq si pasojë e plagëve të marra. Rasti thuhej se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të pandehurve.

Policia e Kosovës e kishte konfirmuar në orët e para të 5 gushtit se në incidentin që ka ndodhur në një lokal në qendër të Prishtinës ka persona të plagosur me armë zjarri, por edhe nga copat e xhamave.

Shpërndaje në: