Debat mbi sfidat në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi

Debat mbi sfidat në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi

Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile shqiptare dhe serbe në Kosovë vlerësojnë se zhvillimet e viteve të fundit në pjesën veriore të vendit kanë thelluar përçarjet ndëretnike dhe se tensionet e njëpasnjëshme po e pengojnë në masë të konsiderueshme procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Këto komente u bënë përgjatë një debati mbi dialogun për normalizimin e marrëdhënieve – gjendjen aktuale, sfidat dhe mundësitë e tij, të organizuar nga shoqata joqeveritare AKTIV me seli në veri të Mitrovicës.

Raundi i fundit i bisedimeve ndërmjet palëve në Bruksel, përfundoi pa ndonjë përparim, ngjashëm me takimet e mëparshme.

Miodrag Miliçeviç nga organizata AKTIV tha se nuk ka pritshmëri se bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian mund të sjellin ndonjë përparim të vërtetë në të ardhmen e afërt.

“Ky është një mendim dominues në mesin e të shumtëve, jo vetëm në Kosovë por edhe në Serbi dhe më gjerë. Të gjithë janë pesimistë që në një kohë të afërt do të kemi rezultate të prekshme sa i përket përparimit në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Ajo që neve na ngarkon më së shumti, këtu po flas përgjithësisht në Kosovë, janë turbulencat e vazhdueshme në planin shoqëror dhe politik. Veriu i Kosovës është çështja kryesore jo vetëm për publikun e Kosovës por edhe më gjerë dhe ne tashmë nuk po flasim për ndonjë proces të normalizimit por të stabilizimit, në mënyrë që gjithë këto tensione t’i sjellim në një shkallë të pranueshme”, tha ai.

Në përpjekje për të nxitur dialogun dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike, disa individë dhe organizata të shoqërisë civile nga komuniteti shqiptar e serb, janë bashkuar në një koalicion me emrin “Alternativa Civile e Kosovës”.

Mbyllen pa përparim bisedimet Kosovë – Serbi në Bruksel

Jovana Radosavljeviç nga ky koalicion ngriti shqetësimin se mungesa e përparimit në dialog dhe tensionet e vazhdueshme në veri mund të kenë pasoja të rënda për serbët e Kosovës por edhe për pajtimin e mundshëm ndërmjet komuniteteve.

“Do të doja që aktorët politik dhe shoqëria civile të bashkëpunojnë më shumë dhe që aktorët politikë, veçmas ata nga komuniteti shqiptar, të bëhen më të zëshëm për këto çështje. Vetëm në këtë mënyrë mund ta mbështesim njëri tjetrin dhe t’i nxjerrim në publik të gjitha ato probleme me të cilat ne përballemi. Por ne aktualisht jetojmë në një realitet paralel, që është realiteti i serbëve të Kosovës në veri por edhe në jug dhe në anën tjetër është realiteti në Prishtinë, i cili nuk përkon aspak me atë që po ndodh këtu”, tha ajo.

Lulzim Peci nga Instituti për Hartimin e Politikave KIPRED, tha se debati me popullatën lokale serbe është i domosdoshëm për të siguruar zbatimin e çfarëdo marrëveshjeje ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

“Nëse neglizhohet dinamika lokale, marrëveshjet vështirë se mund të vihen në jetë e të zbatohen sepse marrëveshjet bëhen për njerëz, ato e kanë edhe pjesën territoriale por mbi të gjitha bëhen për njerëz dhe nëse pranohen nga ta shumë më lehtë zbatohen dhe në anën tjetër zbatohen në një klimë të mirëbesimit e cila pastaj e sjell edhe bashkëjetesën shumë më normale sesa thjeshtë bashkëjetesën fizike”, tha zoti Peci.

Senad Shaboviç nga Instituti Evropian i Paqes, tha se ka nevojë për nisjen e një procesi të ndershëm politik që do të prodhonte një plan gjithëpërfshirës për normalizimin e situatës në veri të Kosovës, për t’i hapur rrugë pastaj zgjidhjes së çështjeve të hapura në Bruksel.

“Do të ishte e arsyeshme që edhe në këtë situatë të tanishme qeveria e Kosovës të ndërmerrte masa të caktuara për ndërtimin e mirëbesimit, që do të ishte mirë edhe për dialogun por edhe vet situatën dhe nuk do të ndryshonte, mendoj, në mënyrë drastike disa politika të Prishtinës. Një masë do të ishte për shembull angazhimi i vazhdueshëm për rekrutimin e pjesëtarëve të policisë nga komuniteti serb. Për neve do të ishte e arsyeshme që në një afat sa më të shkurtë të emërohen komandantët e katër stacioneve policore nga komuniteti serb”, tha ai.

Zoti Shaboviç tha se plani gjithëpërfshirës për normalizim të situatës në veri duhet të përfshijë edhe kthimin e gjykatësve dhe prokurorëve serbë në vendet e tyre të punës dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në zonë.

Policët, gjykatësit dhe prokurorët serbë dhanë dorëheqje në nëntor të vitit 2022 në shenjë proteste ndaj shkarkimit nga autoritetet në Prishtinë të një oficeri policie, pas refuzimit nga ana e tij të zbatimit të urdhrave që kishin të bënin me zëvendësimin e targave të makinave serbe, me ato të Kosovës.

Javën e kaluar presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, kërkoi rikthimin e gjendjes së mëparshme në veri të Kosovës, por në Prishtinë kjo shihet si një kërkesë për zhbërjen e shumë veprimeve të nxitura nga vet Beogradi.

Shpërndaje në: