Shkon në 20 numri i të vrarëve nga shpërthimet e radio-lidhjeve në Liban
Një valë e re e shpërthimeve të jashtëzakonshme, që në shënjestër e kishin Hezbollahun dhe që u kryen përmes radio-lidhjeve, kanë lënë të paktën 20 të vdekur e mbi 450 të lënduar në qytete të ndryshme të Libanit.
Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë paralajmëruar se shpërthimet e njëkohshme të mijëra pajisjeve të komunikimit mund të përbëjnë krime lufte, raporton gazeta “The Guardian”.
Shpërthimi i shënjestruar i radio-lidhjeve ndodhi një ditë pasi 12 njerëz u vranë dhe mbi 2.800 të tjerë u plagosën nga shpërthimi i pejxherëve, veprim që i është ngarkuar Izraelit dhe që ka nxitur udhëheqës e diplomatë botërorë të paralajmërojnë se kjo mund të çojë te një konflikt i plotë mes Izraelit dhe Hezbollahut, pavarësisht nga përpjekjet e OKB-së dhe ShBA-së për ta shmangur atë.
Një burim brenda Hezbollahut konfirmoi se radio-lidhjet e përdorura nga grupi ishin në shënjestër të sulmit të së mërkurës. Një burim i lartë i sigurisë tha se shpërthimet veç e veç ishin të vogla, të ngjashme me sulmet e së martës.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i dënoi sulmet dhe bëri thirrje për përmbajtje nga Hezbollahu dhe Izraeli, ndërsa Këshilli i Sigurimit pritet të mblidhet të premten për të diskutuar rreth operacioneve të pashembullta në atë që duket si komprometim masiv i zinxhirit furnizues nga inteligjenca izraelite.
Gjatë vizitës në një bazë të forcave ajrore të mërkurën, ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, tha se vendi i tij po e zhvendos fokusin ushtarak drejt frontit me Hezbollahun.
“Qendra e gravitetit është duke lëvizur drejt veriut, që do të thotë se ne gjithnjë më shumë po i devijojmë forcat, burimet dhe energjinë drejt veriut” – tha ai, duke shtuar se qëllimi është që banorët e zhvendosur të veriut të rikthehen në shtëpitë e tyre.
Ministri më pas e lavdëroi agjencinë izraelite të inteligjencës, Mossad, për “arritje të mëdha”, por nuk e mori përgjegjësinë për sulmet dyditore në Liban.