Vrasja e Triumf Rizës, Ilir Avdullahu deklarohet i pafajshëm: Nuk e pranoj këtë aktakuzë me thashetheme

Vrasja e Triumf Rizës, Ilir Avdullahu deklarohet i pafajshëm: Nuk e pranoj këtë aktakuzë me thashetheme

Ilir Avdullahu është deklaruar i pafajshëm për përfshirje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza.

Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari e bëri në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja speciale Habibe Salihu, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Jam i pafajshëm. Nuk kam të bëjë me këtë rast dhe nuk e pranoj këtë aktakuzë me thashetheme. Deri sot nuk kena pas të bëjmë me drejtësi, po kena pas të bëjmë me një drejtësi private dhe kjo aktakuzë e kam cek edhe në Prokurori ka prova të manipulume, të montume dhe të kontrabandume”, tha Avdullahu.

Pas deklarimit rreth fajësisë, gjykatësi i rastit Valon Kurtaj e njoftoi Avdullahun dhe mbrojtësin e tij, avokatin Ramë Dreshaj se brenda afatit prej 30 ditësh kanë të drejtë për kundërshtim të provave dhe për kërkesë për hudhje të aktakuzës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 2 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit Ilir Avdullahu, i cili ngarkohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

“Sipas aktakuzës i pandehuri I.A. në bashkëkryerje me tani të dënuarit A.B. dhe F.A. si dhe me të pandehurit E.S. dhe RR.A. si grup i organizuar kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, nga neni 147 paragrafi 1 nën paragraf 3 e 9, lidhur me nenin 23 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës”, thuhej në njoftim.

Ilir Avdullahu, i njohur me nofkën “Liza”, u arrestua më 16 korrik 2023, pasi për vite me radhë kërkohej si i dyshuar për vrasjen e Triumf Rizës.

Për Triumf Rizën është duke u gjykuar edhe Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitje të vrasjes së policit. Sekiraqa më 3 maj 2024 u dënua me 25 vjet burgim. I njëjti gjendet në arrati.

Shpërndaje në: