Krasniqi për takimin e Bislimit në Bruksel: Ka qenë vetëm dështim, në zgjedhjet e 9-të shkurtit do të ndërpritet keqqeverisja

Krasniqi për takimin e Bislimit në Bruksel: Ka qenë vetëm dështim, në zgjedhjet e 9-të shkurtit do të ndërpritet keqqeverisja

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi ka thënë se takimi i djeshëm në Bruksel ndërmjet zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi me përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak, ka qenë i dështuar.

Krasniqi ka thënë se në çdo takim nuk ka transparencë, duke krahasuar qeveritë e kaluara që pas çdo takimi kanë raportuar se për çka kanë diskutuar.

Deputetja ka theksuar se në politikën e jashtme ka regres pasi për herë të parë Kosova është në sanksione dhe nuk ka njohje të reja.

“Çdo takim ka qenë vetëm dështim sepse nuk ka pasur aspak transparencë, në qeveritë e kaluara kryeministri apo zëvendëskryeministri kanë ardhur dhe kanë raportuar para dhe pas çdo takimi mirëpo nuk dimë se çfarë po bëhet për takimet. I shohim deklaratat e njëpasnjëshme të cilat gjithmonë janë të kundërta si me ndërkombëtarët si dhe me anëtarët e kabinetit qeveritar, nuk shpresoj për ta edhe këta pesë muaj që kanë mbetur, që të ndodh diçka me dialog, sa i përket politikës së jashtme kemi regres sepse për herë të parë kemi masa nga Bashkimi Evropian nuk kemi asnjë njohje nga vendet që ende nuk e njohin Kosovën. Dhe nuk kemi asnjë aplikim nga organizata ndërkombëtare. Pikërisht kjo Qeveri e dështoi edhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, ka thënë Krasniqi.

Ajo pret që javën e ardhshme Bislimi të vijë Komisionin për Integrim të Evropian dhe të tregoj se çfarë ka ndodhur në atë takim, duke shtuar se deklarata nganjëherë janë skandaloze dhe nuk përputhen njëra me tjetrën.

Krahas takimit, gjendje të mjerueshme e sheh Krasniqi dhe jetesën e qytetarëve, ajo potencoi se kjo qeveri i ka harruar qytetarët dhe i ka lënë në varfëri.

“Pres që në javën e ardhshme të vijë në Komisionin për Integrim të Evropian dhe të na tregoj qartë se çfarë ka ndodhur në atë takim, sepse deklarata nganjëherë po janë skandaloze nuk po përputhen njëra me tjetrën. Svecla është mirë e u marrë më shumë me jetën e qytetarëve me Policinë me ua jep rrogën dhe shtesat dhe jo me ndenjtë tek ura e Ibrit, duhet të hapet ura e Ibrit mirëpo duhet gjithmonë koordinim me aleatët tanë ndërkombëtarë. Tash është fushatë zgjedhore dhe çdo punë që po e bënë Veriu po i duket që po i dhez dhe po merret me të, por jetesën e qytetarëve e kanë harruar krejt, kemi një varfëri të lartë kemi ikje në numri të lartë të rinjve që po e lëshojnë Kosovë. Gjithçka është alarmante dhe po merret me Veri se ka dështuar në të gjitha fushat tjera”, ka potencuar Krasniqi për EO.

Në fund, deputetja ka shtuar se kjo Qeveri e ka zhgënjyer popullin dhe në zgjedhjet e 9-të shkurtit do të ndërpritet keqqeverisje.

“Ne jemi në terren çdo ditë, e ka zhgënjyer shumë popullin, mendoj që me datën nëntë shkurt do të ndërpritet keq qeverisja në shtetin e Kosovës”, shtoi ajo.

Ky takim që u mbajt të martën, në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, por nuk pati edhe takim trelateral, pasi që Serbia refuzoi atë. Në këtë takim temë diskutimi kanë qenë një varg çështjes, por kryesorja ka qenë rruga drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit.

Shpërndaje në: