Kthimi i shumëpritur i Granit Xhakës në Ligën e Kampionëve
Të enjten është koha. Granit Xhaka do të kthehet në skenën e madhe të Ligës së Kampionëve. Hera e fundit kur strategu i Bayer Leverkusenit kishte luajtur në Champions ishte në edicionin 2016/17. Ishte edicioni i parë i tij, prej shtatë gjithsej, tek Arsenali.
Pas atij edicioni, kapiteni i Zvicrës ia doli të kualifikohej me Arsenalin në Champions vetëm për edicionin 2023/2024. Por u largua nga Londra para fillimit të atij edicioni, për të bërë histori me Bayer Leverkusenin.
Me Leverkusenin, 31-vjeçari Xhaka të enjten përballet me kampionin e Holandës, Feyenoordin, në stadiumin “De Kuip” në Rotterdam. Ndeshja fillon në orën 18:45.
Xhaka mezi e pret ndeshjen. Por ai dhe të tjerët te Leverkuseni presin ndeshje të vështirë.
“Po shikojmë para të përballemi me një kundërshtar që nuk do të na dhurojë asgjë. Do të jetë atmosferë e jashtëzakonshme në Rotterdam”, është i vetëdijshëm Xhaka, ndonëse nuk ka përvojë personale në “De Kuip”.
“Asnjëherë nuk kam luajtur në Feyenoord, por natyrisht kam dëgjuar gjëra nga shokët që kanë luajtur atje. Atmosfera pritet të jetë brutale”, ka thënë lideri i mesfushës së Leverkusenit.
Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që Bayer 04 të ruajë qetësinë për 90 minuta të enjten. Pra, që lojtarët e kampionit gjerman të mos bien në presionin e 50 mijë shikuesve. Sidomos para golit kundërshtar, dhe në këtë mënyrë të mbajnë sa më të qetë tifozët vendës.
“Nuk mund t’i japim kundërshtarit shumë shpresë”, ka thënë Xhaka, duke iu referuar fitores 4:1 ndaj Hoffenheimit. Leverkuseni ka mundur ta mbyllë atë ndeshje të Bundesligës shumë më herët, nëse do të shfrytëzonte si duhet raste e krijuara.
Mosshfrytëzimi i rasteve nuk duhet të ndodhë në Rotterdam, në ndeshjen e xhiros së parë të Ligës së Kampionëve.
“Në Ligën e Kampionëve nuk i keni shtatë apo tetë raste shumë të mira. Mund t’i keni dy apo tri dhe duhet t’i shfrytëzoni ato”, ka theksuar mesfushori. “Ende duhet të punojmë në këtë”, ka vazhduar Xhaka.
Shfrytëzimi i rasteve i duhet Leverkusenit që kthimi në Champions të jetë i duhuri. Xhaka ka pritje të mëdha.
“Liga e Kampionëve është kthyer. Lojtarët më të mëdhenj duan të luajnë në Ligën e Kampionëve dhe ne jemi aty”, thotë ai.
Bayerin dhe Xhakën i presin të paktën tetë ndeshje në fazën e ligës në Champions. Por te kampioni gjerman synojnë shumë më tepër.