NATO: Vendimi për hapjen e Urës së Ibrit duhet të merret në dialog

NATO: Vendimi për hapjen e Urës së Ibrit duhet të merret në dialog

Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, zhvilloi ndaras takime me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe me atë të Serbisë, Petar Petkoviq, gjatë ditës së sotme.

Mirëpo, veç këtyre takimeve, Bislimi dhe Petkoviq u takuan ndaras edhe me ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Operacione, Tom Goffus dhe komandantin e Operacioneve Civile në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së, Sefano Tomat.

Goffus, në një deklaratë të publikuar në ueb-faqen e NATO-s, tha se në këto takime foli për situatën e sigurisë në Kosovë, teksa u tha se i njëjti adresoi edhe shqetësimet e sigurisë në lidhje me hapjen e mundshme të Urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve.

“Z. Goffus theksoi nevojën për një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Ai vuri në dukje se vendimet duhet të merren përmes dialogut, në kohë dhe  koordinim efektiv me komunitetin ndërkombëtar dhe në mënyrë që të mos rrezikohet siguria e komuniteteve lokale apo e trupave të NATO-s. Ai shtoi se misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO është i detyruar nga mandati i tij i OKB-së për të adresuar çdo shqetësim të sigurisë dhe për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt”, citon NATO të ketë thënë Goffus.

Tutje, bëhet e ditur se në takime, Goffus përsëriti mbështetjen e plotë të NATO-s për dialogun e lehtësuar nga BE-ja, për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo është korniza për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve, e cila është kyçe për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitetin në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha KFOR-i.

Gjatë ditës ka pasur raportime se kryenegociatorët Bislimi dhe Petkoviq do të shkojnë në NATO për të diskutuar çështja e hapjes së Urës së Ibrit.

Shpërndaje në: