Krasniqi i AAK-së: Kosova ka rrëshqitur në totalitarizëm me qeverisjen Kurti
Kryetari i AAK-së në Prizren ka thënë se demokracia është mision i madh për t`iu besuar dhunuesve të institucioneve, shtypësve të fjalës së lirë e keqdashësve të shtetit.
Kryetari i degës së AAK-së në Prizren, Besnik Krasniqi, në një postim të bërë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, ka shkruar se Kosova sot fatkeqësisht ka rrëshqitur në totalitarizëm.
Duke iu kundërpërgjigjur kryeministrit Kurti, i cili ka thënë se Kosova është vendi më demokratik në botë, Krasniqi ka radhitur të bëmat e qeverisë Kurti, të cilat sipas tij e kanë sjellë shtetin në këtë pikë.
”Katër vjet totalitarizëm, katër vjet synim për disiplinimin e atyre që mendojnë ndryshe, 4 vjet përndjekje e mediave, luftim i opozitës, i sindikatave dhe i shoqërisë civile. Krejt këto për t`i arsyetuar aferat, keqmenaxhimin dhe paaftësinë për qeverisje”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Kryetari i Degës së AAK-së, Besnik Krasniqi, teksa ka uruar të gjithë ata që demokracinë e njohin si vlerë sublime të njerëzimit, ka shkruar se Demokracia është mision i madh për t`iu besuar dhunuesve të institucioneve, shtypësve të fjalës së lirë e keqdashësve të shtetit.