Projektligji për Byronë, opozita e quan veprim elektoral të pushtetit, kërkon interpretim nga Komisioni i Venecias

Projektligji për Byronë, opozita e quan veprim elektoral të pushtetit, kërkon interpretim nga Komisioni i Venecias
Pushteti e opozita kanë qëndrime të ndara sa i përket projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Lëvizja Vetëvendosje konsideron se nuk ka asnjë arsye që ky projektligj të mos përkrahet nga partitë opozitare.

Ndërkaq, PDK e LDK thonë se pushteti po e shfrytëzon për lojë politike e fushatë elektorale, për çka kërkojnë sërish interpretimin e Komisionit të Venecias. Po ashtu, konsiderojnë se çdo nismë që vjen tani e tutje në parlament, e ka proceduralisht të pamundur të miratohet.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi thotë për KosovaPress se ky projektligj ka qenë gjithmonë një nga prioritetet e qeverisë.

Sipas tij, pasuria e zyrtarëve të lartë shtetërorë duhet të verifikohet, për çka konsideron se nuk ka arsye që të mos ndodhë miratimi i këtij projektligji.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj konsideron se veprimet e partisë në pushtet janë kryesisht për fushatë elektorale.

Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se drafti i ri duhet të dërgohet sërish për interpretim në Komisionin e Venecias.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa konsideron se është e pamundur teknikisht që të procedohet ky projektligj në këtë legjislaturë.Javën e kaluar, ekzekutivi ka miratuar projektligjin e ri për byronë, ku sipas ekzekutivit, janë adresuar vetëm katër nenet që janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.

Shpërndaje në: