Javën e ardhshme vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Pas një jave pushim, javën e ardhshme do të rikthehen seancat gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në Hagë.
Procesi gjyqësor “Thaçi dhe të tjerët” do të mbahet nga e hëna deri të ejten, me të gjitha seancat që fillojnë në ora 09:00.
Ndërkaq, ditën e premte, është njoftuar të mbahet konferenca para Apelit në rastin e Pjetër Shalës.
Gjykimi i javës së ardhshme vjen pas lajmit të mirë të javës që po lëmë pas, ku në një vendim të Gjykatës së Apelit, Salih Mustafës, i njohur si “Komandant Cali”, iu ul masa e dënimit në 15 vjet burg, duke llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim.
Kujtojmë se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po gjykohen për krime lufte.