“Erdhi e më kërkoi t’i çëronim hesapet jashtë”- Bulliqi del me sqarim pas përplasjes me asamblistin e LDK-së
Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka reaguar pas përplasjes së tij dje me një nga asamblistët e LDK, për të cilin rast pati ndërhyrje edhe nga Policia.
Bulliqi përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka sqaruar situatën e krijuar dje në Kuvendin Komunal të Podujevës.
“Asamblistët e LDK-së kërkuan që të bëhet ndërrimi i një anëtari në Komitetin për Komunitete, me pretekstin se anëtari i tyre nuk është më pjesë e Grupit të LDK-së. Pavarësisht se asamblisti ka deklaruar se ai ka dalë nga Grupi, si i pamvarur, kryesuesi e hodhi në votim propozimin e LDK-së, gjë që nuk kaloi. LDK do të duhej ta dinte se në demokraci vendos shumica, gjë që ata nuk e kanë. Por, ata po tentojnë që kërkesat e tyre t’i imponojnë edhe me dhunë, siç ndodhi gjatë gjithë seancës së djeshme”, tha ndër të tjera Bulliqi.
Reagimi i plotë:
Të nderuar qytetarë!
Nuk është në natyrën time që të reagojë, por po detyrohem për shkak të shpifjeve të vazhdueshme që po bëhen nga njerëzit e LDK-së në Podujevë. Për shkak se edhe pas katër vjetësh kur e humbën pushtetin në Podujevë (dhe tri pas zgjedhjeve të 2021-s) nuk po mund të pajtohen se nuk i kanë privilegjet e pushtetit të cilat i keqpërdorën për 20 vjet, e vetmja gjë që u ka mbetur është arroganca, shpifjet e sjelljet aspak parlamentare, siç ndodhi në seancën e ditës së djeshme nga asamblisti Rrahmani.
Për hir të opinionit publik dhe për shkak se e vërteta po mundohet të devijohet nga njerëzit e LDK-së, e në disa raste edhe mediat po bien pre e këtyre dezinformatave, dua të sqaroj krejt çfarë ndodhi dje në seancë.
Asamblistët e LDK-së kërkuan që të bëhet ndërrimi i një anëtari në Komitetin për Komunitete, me pretekstin se anëtari i tyre nuk është më pjesë e Grupit të LDK-së. Pavarësisht se asamblisti ka deklaruar se ai ka dalë nga Grupi, si i pamvarur, kryesuesi e hodhi në votim propozimin e LDK-së, gjë që nuk kaloi. LDK do të duhej ta dinte se në demokraci vendos shumica, gjë që ata nuk e kanë. Por, ata po tentojnë që kërkesat e tyre t’i imponojnë edhe me dhunë, siç ndodhi gjatë gjithë seancës së djeshme.
Edhe pse kishte dështuar përpjekja e tyre me votë, për t’i dhënë epilog kësaj pune, propozova që si Kuvend t’i drejtohen MAPL-së për interpretim ligjor. As kjo nuk u mjaftoi, por donin që mendimin e tyre t’ia imponojnë shumicës. Duke mos i pasur numrat, ata i penguan vazhdimisht punimet e seancës.
Vazhduan me ngritje zëri, fyerje e shpifje, derisa kryesuesi u detyrua ta ndërpres mbledhjen. Asamblisti Rrahmani pasi kishte drejtuar akuza, fyerje e shpifje ndaj meje, erdhi në drejtim timin duke kërkuar që të dalim jashtë për t’i çëruar hesapet. Kaq mjafton për të parë nivelin e tij prej përfaqësuesi të popullit, që në mungesë të argumenteve tentojnë të sulmojnë fizikisht.
Rastin e kam lajmëruar në Polici dhe pres që organet e drejtësisë ta thonë fjalën e tyre rreth këtij rasti.
Anëtari i Komitetit për Komunitete ndoshta ishte vetëm preteksti, sepse nuk besoj që do të bënin aq shumë zhurmë për këtë, po të mos ishin projektet e mëdha që po i realizojmë si pushtet lokal që duket sikur po i pengojnë kësaj partie, e që në seancën e djeshme po votohej edhe për Planin e hollësishëm të Zonës industriale, premtim ky i kahershëm i LDK-së, por vetëm në letër.
LDK le t’i vazhdon shpifjet, fyerjet e dezinformatat edhe viktimizimet sic është mësuar, sepse këtë askush nuk e bën më mirë se ta, e ne do të vazhdojmë t’i kryejmë punët tona për çka na kanë zgjedhur qytetarët. Do të vazhdojmë të punojmë pareshtur për t’i realizuar projektet e mëdha në dobi të qytetarëve, siç kemi bërë për këto katër vjet.
Sinqerisht!
Kryetari juaj,
Shpejtim Bulliqi