Arsyetimi i Bulliqit: Abdixhiku nuk u ftua në përurimin e shtatores së Rugovës pasi ka larguar fotografinë nga zyra
Të shtunën në Podujevë është përuruar shtatorja e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Aty të pranishëm ishin familjarë të tij, kryeministri, presidentja dhe figura të tjera politike.
Ndërsa u vërejt mungesa e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Lidhur me këtë, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se Abdixhiku nuk ishte i ftuar, pasi sipas tij ai ka larguar fotografinë Rugovës nga zyra.
“Unë i kam ftuar të gjithë njerëzit që kam vlerësuar se kanë dhënë kontribut për LDK-në. E kam ftuar degën e LDK-së në Podujevë, e kam ftuar presidentin Sejdiu, i kam ftuar deputetët e LDK-së që e di se kanë punuar shumë për LDK-në, Armend Zemaj, Arben Gashi e ka pasur ftesën dhe i kam ftuar të gjithë ata që kam menduar se kanë dhënë kontribut të gjatë në LDK”.
“Në momentin që u zbulua fakti se Lumir Abdixhiku e tërheq fotografinë e presidentit Rugova prej zyrës ku e jep intervistën, atëherë cila është arsyeja ta ftoj një personalitet që për ta ngritur imazhin e vet, e sposton anash”, tha Bulliqi në Klan Kosova.