Kurti me bachelor të elektroteknikës i tregon Prokurorisë se ka mundur më herët të ngritet aktakuzë për Banjskën, BE e mirëpret përfundimin e hetimeve
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për “rastin Banjska” të mërkurën, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku. Aktakuzën, të vonuar e konsideroi pushteti. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk hezitoi të shprehet për këtë.
Ai tha kjo aktakuzë ka mundur të ngrihet më herët.
“Nuk e kam parë aktakuzën jam i bindur që ka mund të ngrihet shumë më herët dhe sot të ndodhemi në një situatë të re. Natyrisht siç thotë populli ynë ‘më mirë vonë se kurrë’. Por megjithatë duhet ta shohim përmbajtjen e saj në mënyrë që të mund të flasim për të”, tha Kurti.
Edhe Kryeparlamentari Glauk Konjufca, përdori frazën “më mirë vonë se kurrë” për ngritjen e aktakuzës.
“Pasi kjo çështje të bëhet objekt i drejtësisë, ne gjithë fokusim ta kemi në institucionet e drejtësisë. Duhet që kriminelët që ishin përgjegjës ku u vra rreshteri Afrim të dalin para bankave të drejtësisë”, ka thënë ai.
Ndryshe prej tyre, Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka mirëpritur përfundimin e hetimeve të Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Stano në konferencë për media të enjten ka thënë se Bashkimi Evropian është duke pritur tash vendimin e gjykatës dhe ka shtuar se Serbisë vazhdimisht i është kërkuar të bashkëpunojë lidhur me rastin.
“BE-ja e mirëpret faktin që Prokuroria Speciale e Kosovës ka përfunduar hetimin për sulmin në Banjskë dhe ka ngre aktakuzat relevante. BE-ja në mënyrë të vazhdueshme ka përsëritur pritjet që të gjithë përgjegjësit dhe të përfshirët në këtë sulm brutal të mbahen përgjegjës. Tash nis procesi gjyqësor. Ne presim përfundimin e procesit”, ka thënë Stano.
E, nga Lidja Demokratike e kanë vlerësuar punën e Prokurorisë duke thënë se nuk ranë në grackën e politikës dhe presionit të Qeverisë.
“Falënderimi për z.Isufaj dhe hetuesit është që nuk ranë në grackën e politikës dhe presionit të tyre për një aktakuzë të shpejtë që del nga Raport i zyrave të qeverisë, të cilët na bënë horë kur e kanë dërguar nëper Europe, duke menduar qe e kanë gjetur fajtorin dhe tash duhet vetëm ekzekutimin ta bëjnë. Raport me të cilin besonin vetëm ata, por profesionalizmi i prokurorëve dhe njësive elitare zbardhi imazhin e Kosovës para aleatëve dhe e shpëtuan Kosovën”, ka thënë Nënkryetari Lutfi Haziri.
Ndërsa, anëtari i Kryesisë së Nismës, Zafir Berisha, ka thënë se në aktakuzën e ngritur nga Gjykata Speciale është dashur të përfshihen edhe ministra Xhelal Sveçla, Liburn Aliu dhe Faton Peci.
Në profilin e tij në “Facebook”, Berisha ka shkruar se ministrat në fjalë duke mos vepruar sipas ligjeve të Kosovës kanë lejuar të ndërtohet vila e Milan Radoiçiqit, e cila është përdorur si bazë për terroristët.
“Aktakuza e Prokurorisë Speciale ndaj Rajdojçiqit dhe të akuzuarve të tjerë për sulmin terrorist në Banjskë, nxerrën në pahë edhe një të vërtet që është mohuar nga regjimi aktual dhe eksponentëve të saj. Se krimineli Radojçiq, villën te liqeni i Ujmanit e ka ndërtuar pas vitit 2021, faktë që e vërteton sipas aktakuzës dy dëshmitar të intervistuar nga prokuroria. Duke mos tentuar me ju përzi prokuroris në punët e tyre, mendoj se në aktakuzë është deshtën të jenë edhe tre ministra (Sfeçla, Peci, Aliu) të cilët duke mos vepruar sipas ligjit dhe kopetencave të tyre, kanë lejuar ndërtimin e një baze për grupin terroristë në territorin e Kosovës”, ka shkruar Berisha.
Kërkesë gati të njëjtë kishte edhe analisti Nexhmedin Spahiu.
Ai ka vlerësuar se Prokuroria Speciale, se një aktakuzë të tillë është dashur të ngritët edhe ndaj kryeparlamentarit Glauk Konjufca dhe Ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Sipas tij, edhe dy zyrtarët në fjalë janë shprehur me deklarata kundër shtetit të Kosovës.
Me qenë prokuror si duhet këtë aktakuzë qe ja ka bërë Radojçiqit ja kish bë edhe Glauk Konjufcës edhe Liburn Aliut, pra krejt këtyre qe janë për rrenim të rëndit kushtetues”, ka thënë Spahiu në Kanal10.
Kurse, Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka lavdëruar punën e Prokurorisë Speciale me ngritjen e aktakuzës për sulmin në Banjskë, duke thënë se është një ndër aktakuzat më të mira viteve të fundit.
Ai ka thënë se grupi i Banjskës u financua indirekt nga Qeveria e Serbisë, por disa shuma të vogla janë dhënë edhe nga Kosova përmes tenderëv që fitonte kompania e Millan Radoiçiqit.
“Nëse e lexojmë aktakuzën si tërësi, e shohim se veprimet që janë ndërmarrë në veri, e shohim se të gjitha këto veprime që janë marrë nga Radoiçiqi dhe 44 e tjerët të akuzuar, i kanë bërë kryesisht me mbështetje dhe financim indirekt nga ana e Qeverisë së Serbisë por edhe nga një shumë më e vogël që janë dhënë edhe nga institucionet e Kosovës”.
Aktakuza është ngritur ndaj 45 të pandehurve: Milan Radoiçiq, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq, Dusan Maksimoviq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesa Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Djordjeviq, Vladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Uros Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukasin Jarediq, Sasa Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zarko Cvetkoviq, Krsto Damjanoviq, Stefan Milosavljeviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Rados Gvozdiq, Ivan Miliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milos Milenkoviq, Dorde Baloviq, Danijel Dukiq, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Milos Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iiq dhe Vladan Iliq.
Aktakuza e Speciales tregon se të akuzuarit për sulmin në Banjskë kishin synim t’ia shkëpusnin Kosovës veriun dhe t’ia bashkonin Serbisë. Dokumenti tregon se grupi nisi të organizohej në tetor të 2021-s, në një takim në të cilin ishte i pranishëm edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq./Periskopi