BE komenton aktakuzën për Banjskën: Kryesit e veprave të dalin para drejtësisë

BE komenton aktakuzën për Banjskën: Kryesit e veprave të dalin para drejtësisë

Bashkimi Evropian ka mirëpritur ngritjen e aktakuzës ndaj 45 personave të grupit terrorist që organizoi sulmin e 24 shtatorit në Bajnskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë zyrtari policor, Afrim Bunjaku.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka theksuar edhe një herë pritshmërinë që fajtorët të mbahen përgjegjës.

“BE-ja e mirëpret faktin që Prokuroria Speciale e Kosovës ka përfunduar hetimet e sulmit të Bajnskës dhe ka ngritur aktakuzën. BE-ja në vazhdim ka theksuar pritshmërinë që të gjithë ata që janë të përfshirë dhe përgjegjës në këtë sulm brutal të mbahen përgjegjës. Parashtrimi i aktakuzës nënkupton që tani procesi gjyqësor do të fillojë dhe ne po presim për përfundimet e këtyre procedurave gjyqësore.” – ka thënë ai, transmeton Nacionale.

Tutje, Stano është pyetur mbi takimin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq me ambasadorin evropian në Serbi, dhe mbi mundësinë që të jetë diskutuar kjo temë.

“Ne s’i komentojmë përmbajtjen e takimeve, në nivel të ambasadorëve me palët në shtete. Ne nuk kemi nevojë për një takim që të përcjell pozicionin e BE-së, sepse dihet qartë, është përsëritur shumë herë që nga dita tragjike e 24 shtatorit të vitit të kaluar, dhe pritshmëria është që Serbia të bashkëpunojë plotësisht në hetim, dhe nëse është e nevojshme të bashkëpunojë për t’i mbajtur përgjegjës.” – tha ai.

Stano ka paralajmëruar pasoja sapo të përfundojë procesi gjyqësor:

“E kemi thënë edhe atëherë, në fund të shtatorit të vitit të kaluar, ky sulm përbën një eskalim të qartë dhe të paprecedentë. Dhe do të ketë pasoja, kështu që sapo Gjykata në Kosovë të vendos kush është fajëtorë, atëherë do të ketë pasoja”.

Ndërkohë, në pyetjen se a do ta nxisë BE-ja, Serbinë që ta ekstradojë kryekriminelin Milan Radojiçiq, ai u përgjigj:

“Pozicioni ynë është i qartë, presim nga Serbia të bashkëpunojë plotësisht për procedurat e ndërlidhura”.

 

Shpërndaje në: