Vuçiqi e tregon nesër “72 orëshin për Kosovën”: Në tavolinë është opsioni i shpalljes së okupimit të një pjese të territorit të Serbisë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nesër në orën 18:00 do ta ketë një adresim para opinionit serb lidhur me ngjarjet e fundit në veri të Kosovës.
Siç shkruajnë Kurir dhe Alo, lidershipi shtetëror është ende duke diskutuar për një sërë çështjesh dhe në tavolinë është opsioni i shpalljes së okupimit të një pjese të territorit të Republikës së Serbisë, që sjell pasoja të shumta, duke përfshirë përgatitjet për kthimin e zonat e pushtuara, për shkak të tensioneve disamujore në Republikën e Kosovës, por dhe situatës që është përshkallëzuar ditët e fundit. E fundit në një seri ngjarjesh të pakëndshme, dhe pas bllokadës 14 ditore të institucioneve serbe, ishte rrahja, ngacmimi dhe arrestimi i katër të rinjve serbë që festonin ditëlindjen.
Lidhur me këtë adresim të tij ka raportuar Blici serb.
Dy ditë më parë, pas një takimi me emisarin evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe ambasadorin amerikan në Beograd, Christopher Hill, Vuçiq njoftoi se në 72 orët e ardhshme do t’i drejtohet publikut për atë që kërkon rreth serbëve që jetojnë në Kosovë.
Paralajmërimet e kryetarit të Serbisë se do të përgjigjet ndaj Kosovës me masa serioze nuk i ka komentuar fare kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
”Ju e dini që unë nuk parapëlqej t’i komentoj as lajmet, e lëre më paralajmërimet”, është shprehur Kurti nga veriu i vendit ku qëndroi për vizitë të martën.