Bajrami e ashpër me Mujën e VV-së: Inflacioni gjatë qeverisjes suaj i ka kushtuar ekonomisë 1.6 miliardë euro

Bajrami e ashpër me Mujën e VV-së:  Inflacioni gjatë qeverisjes suaj i ka kushtuar ekonomisë 1.6 miliardë euro

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës ka thënë se Qeveria Kurti ka manipuluar me shifra përgjatë gjithë kohës sa kanë qenë në pshtet.

Duke i reaguar deputetit Armend Muja, ajo ka thënë se inflacioni gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes, i ka kushtuar ekonomisë së vendit 1.6 miliardë euro.

“Nuk e pata plan të flas, por më nxitën shifrat dhe manipulimi me shfira i deputetit Armend Muja. Tri vite gjysmë, gati katër iu kanë shku t’u manipulu me shifra. Qytetarët e vendin nuk e dinë çka ka ndodhë me ekonominë e vendit. Të nderuar qytetarë, ju e dini që në vitin 2021 inflacioni ka qenë 3.4 për qind, dhe 230 milionë euro, meqenëse po flasim me terma nominalë z.Muja, lanë ardhë nga rritja e çmimeve. Nëse doni me folë me terma nominal, nëse thoni që rritja ekonomike në 2022 është 1 miliardë e 186 milionë, për shkak se kjo është diferenca mes GDP-së të vitit 2021 dhe 2022, unë tregoj që e ke pasë inflacionin 11.6 për qind, dhe 923 milionë vinë prej inflacionit. A e dini çka do të thotë kjo, në vitin 2023, ka pas 430 milionë rritje prej inflacioni, inflacioni gjatë qeverisjes tuaj i ka kushtu ekonomisë së këtij vendi 1.6 miliardë euro, dhe sot, ju thoni që ju i keni sjellë miliarda buxhetit të Kosovës. Po zotëri, po qysh i ke marrë, i ke marrë prej gjepave të qytetarëve, prej gjepave të prindërve që deri sot fëmijëve ua keni dhënë nga 10 euro, tash 20 deri në 30 euro. Por këto nuk e mbulojnë normën e inflacionit që ka ndodhë gjatë këtyre viteve, me premtimin për qumshtë, bukë, sheqer, vaj më të lirë, çka ka ndodhë me çmimet e këtyre produkteve, u është dyfishu çmimi, e juve u janë dyfishu tatimet duke e mundësu për me e rritë buxhetin, mos fol për politika fiskale, cilën politikë fiskale, cilën reform fiskale?”

Ndërkohë, në adresimin e parë të tij në sesionin vjeshtor të Kuvendit, Muja ka thënë se përformanca ekonomike ka qenë një armë e fortë e Qeverisë Kurti.

Fjalimin e parë dëshiroj t’ia përkushtoj disa zhvillimeve të rëndësishme të cilat për shkak të situatave politike, jo rrallë kanë qenë në hije ose nuk janë diskutuar shumë. Por, një armë e fortë e kësaj qeverie gjithsesi ka qenë performanca ekonomike

Në tremujorin e parë të vitit 2024, në bazë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës rritja e raportuar ishte 5.6% në terma realë, dhe marrë në përgjithësi, që nga ardhja e kësaj qeveria, nëse bëhet analizimi i thjeshtë, rritja mesatare që nga viti 2021 vazhdon të jetë mbi 6%.” – u shpreh deputeti i VV-së.

Shpërndaje në: