Prokuroria kërkon të dënohen babë e bir të akuzuar për vrasje të rëndë në Rahovec, mbrojtja lirimin e tyre

Prokuroria kërkon të dënohen babë e bir të akuzuar për vrasje të rëndë në Rahovec, mbrojtja lirimin e tyre

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, prokurorja Ardita Beqiraj-Hyseni dhe përfaqësuesja e të dëmtuarave R.V. dhe L.V, avokate Fahrije Gashi-Bytyqi në fjalën përfundimtare kanë kërkuar dënimin e të akuzuarave Emir dhe Enver Sylka, kurse mbrojtësit e këtyre të fundit, avokatët Ndrecë Dodaj dhe Shaqir Zika kërkuan lirimin e tyre.

Prokurorja Beqiraj-Hyseni tha se pas mbajtjes së këtij shqyrtimi gjyqësor të kësaj çështjeje dhe administrimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve ka ardhur në përfundim se është vërtetuar që të akuzuarit kanë kryer veprat penale të cilat iu vihen në barrë.

Ajo i  propozoi gjykatës se me rastin e marrjes së vendimit gjykata të ketë parasysh edhe rrethanat rënduese se i pandehuri Enver së bashku më tani të ndjerin N.V kanë pasur raporte të ngushta shoqërore, faktin se kanë mbetur jetim fëmijët të ndjerit N. pasi që pak kohë më parë iu ka vdekur edhe nëna.

“…rrethanë tjetër të merr edhe insistimin e të pandehurit Emir për kryerjen patjetër të veprës, pra privimin nga jeta të ndjerit N.V ku përveç gjuajtjes në gjoks i gjuan edhe në shpinë, të merret si rrethanë rënduese edhe momentin nga kryerja e veprës penale, të pandehurit nuk i kanë ofruar ndihmë tani të ndjerit.”, tha prokurorja në fjalën e saj përfundimtare.

Ndërsa, përfaqësuesja e të dëmtuarave R.V. dhe L.V e dorëzoi me shkrim fjalën e saj përfundimtare, ku ndër të tjera tha se e mbështet në tërësi fjalën përfundimtare të prokurores, duke e përgëzuar prokuroren siç tha ajo për hetimet e ndërmarra në lidhje me këtë çështje dhe e njëjta tha se parashtrojnë kërkesë pasurore-juridike.

Më pas, fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim edhe mbrojtësi i të akuzuarit Emir Sylka, avokati Ndrecë Dodaj. Ai ndër të tjera tha se, gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor kishte pritur një ndryshim të aktakuzës, ku sipas tij aktakuza është e paqartë, ku paqartësitë dhe dilemat kanë mbetur edhe pas shqyrtimit gjyqësor.

Ai tha se veprimet e të pandehurit Emir janë të kryera në gjendje të afektit mendor.

“…nuk është kontestuese se i pandehuri Emir ka shtënë dhe se ka bisedu me babain e tij, por këto fakte nuk mund të tregojnë që kemi dashje direkte në kryerjen e veprës penale, veprimet e të pandehurit Emir janë të kryera në gjendje të afektit mendor”, tha Dodaj.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Enver Sylka, avokati Shaqir Zika në fjalën e tij përfundimtare të cilën e dorëzoi me shkrim, i njëjti duke e elaboruar tha se ka qenë i bindur se nuk do të provohet se i mbrojturi i tij ka kryer veprën e cila i vihet në barrë.

Tutje, ai tha se aktakuza është e paqartë, dhe se e njëjta mbështetet vetëm në deklarimet e të dëmtuarit L.V. Sipas tij, pretendimet e paraqitura në aktakuzë në raport me të mbrojturin e tij nuk kanë mbështetje në asnjë provë, andaj i propozoi gjykatës të merr aktgjykim lirues.

Paraprakisht në këtë seancë i pandehuri Emir Sylka është mbrojtur në heshtje. Ndërsa mbrojtjen e tij e dha i pandehuri Enver Sylka. Ai në mbrojtjen e tij tha se e kishte blerë një pronë nga tani i ndjeri N.V. I akuzuari Enver tha se me të njëjtin kishte pasur miqësi të mirë deri në momentin kur për blerjen e asaj prone e kishte kuptuar edhe vëllau i tij, i dëmtuari L.V. Ashtu që kishin filluar disa mosmarrëveshje.

Ai tha se në një ditë pune në atë pronë, kishte zhvilluar një bisedë me të dëmtuarin L.V. I njëjti thotë se ai e kishte kërcënuar që të mos kaloj në atë pronë.

“.. filloj mem thirr disa herë, e kam dëgju njëher s’kam dasht mu kthy kur pash insistimin ma bojke me dorë a po vjen, e kam nal kositësen kam shku dhe jam drejtu me çka ka tre, ai menjëherë mu ka drejtu me kërkesën qe vendin që ke ble prej N. me e kthy prap, atë e kam ble prej N., dhe s’kam çka bisedoj me ty”, tha i pandehuri.

Ndërsa shtoi se ai iu kishte drejtuar me fjalët “ti s’don me bisedu me mua po prej sot un po ta ndaloj me kalu ty ne këtë pjesë”. Më pas tha se e kishte telefonuar djalin e tij, Emirin, dhe i kishte treguar për ngjarjen.

“..mas një kohe e pash makinen e Emirit duke ardh, kur është afru afër ja nisi teli me më cingërru, ku në telefon ishtë gjeometri, nuk ja hapa tel deri sa dul Emiri, Emiri pyeti, ku është Luli, mas asaj bisede ka shku në pllacin poshtë te N., ai tha po shkoj me bisedu i thash mos shko s’ka nevojë”, tha i pandehuri Enver.

Ai tha se Emiri e kishte thirrur 2-3 herë të dëmtuarin L. për të biseduar, i njëjti tha se kishte filluar të shkoj tek parcela ku qëndronte Emiri. Ai tutje tha se e kishte parë të ndjerin N. kur e kishte ngritur mjetin-dërrasën atëherë me shpejtësi është nisur në drejtim të Emirit.

“..atëherë duke ngajt kam shku në drejtim të Emirit në atë moment edhe un kam qenë duke ngajt jam mundu që me ndërhy për mos me ardhë deri te kontakti fizik, e çka kam arrit me bo është që i kam zgjat durt, kam qenë në afërsi kur ai e ka godit Emirin në krah, edhe mu në gishtat e dorës, i kam thon mos çka je tu bo edhe jam kon i habitur se s’kam prit qe mundet ai ashtu me bo”, tha i pandehuri Enver.

Ai tha se në atë moment, nuk e kishte parë djalin e tij, Emirin duke gjuajtur mirëpo tha janë dëgjuar disa të krisura, duke shtuar se N. Ka rënë në tokë dhe L.V kishte bërtitur, pasi i njëjti ishte plagosur në këmbë. Më pas tha se ishin larguar nga vendi i ngjarjes dhe ishin dorëzuar në polici.

Në fund që të dy shprehën keqardhje ndaj familjes për rastin. Ndërsa i pandehuri Enver tha se nuk ka dashur të ndodh një gjë e tillë, në të kundërtën do e kishte kryer vet vrasjen pasi i njëjti tha se posedon armë me leje.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 31 janar 2024 nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Emir Sylka akuzohet se më 19 shtator 2023, në Rahovec, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin N.V. dhe vuri në rrezik jetën e të dëmtuarit L.V.

Në aktakuzë thuhet se Emir Sylka ditën kritike ishte duke punuar në lokalin e tij, kur u telefonua nga babai i tij, i pandehuri Enver Sylka, i cili i tregoi lidhur me fjalosjen me të dëmtuarin L.V. dhe e ftoi të shkonte në pronën e tyre. I pandehuri Emir mori veturën e tij dhe shkoi me shpejtësi në vendin e lartpërmendur, ku së bashku me të pandehurin Enver shkuan drejt rrugës për te dera e të dëmtarëve duke bërtitur “dilni jashtë”. Prapa tij ishte i pandehuri Enver dhe afër stallës dolën të dëmtuarit N.V. dhe L.V. Posa afrohen te dera e oborrit të tyre, i pandehuri Emir filloi të shante dhe bërtiste me fjalët “a po doni me fol tash a po jav q… nonen”. Në këto momente, i ndjeri N.V. mori një shkop druri dhe filloi sulmi.

Aktakuza shkruan se në ato momente i pandehuri Enver i drejtohet të pandehurit Emir me fjalët “gjuj, gjuj”, dhe menjëherë i pandehuri Emir nxjerr nga brezi armën e tipit revole e prodhimit turk SUB Elite 9mm.

Në aktakuzë thuhet se Emir Sylka ka shtënë katër herë me revole në drejtim të të dëmtuarëve, duke e goditur N.V. në pjesën e gjoksit, i cili, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, u dërgua për trajtim në QKUK në Prishtinë dhe më 22 shtator 2023 ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra. Ndërsa, të dëmtuarin L.V. e goditi në këmbë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, dhe më pas dy të pandehurit me qetësi u futën në veturat e tyre dhe u larguan nga vendi i ngjarjes.

Me këtë, Emir Sylka akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 i Kodit Penal.

Gjithashtu, Emir Sylka ngarkohet edhe për armëmbajtje pa leje, pasi kishte poseduar armën e tipit revole e prodhimit turk SUB Elite 9mm, me të cilën ka kryer veprën penale të lartcekur dhe e mbajti atë në mënyrë të kundërligjshme dhe pa leje nga organet kompetente. Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 i Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Enver Sylka akuzohet se më 19 shtator 2023, me dashje ka shtyrë djalin e tij, të pandehurin Emir Sylka, për të kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” ndaj të ndjerit N.V., si dhe duke vënë në rrezik jetën e të dëmtuarit L.V.

Në aktakuzë thuhet se pas një mosmarrëveshjeje që kishte pasur në pronën e tij me të dëmtuarin L.V., për këtë mosmarrëveshje disa vjeçare ishte i njoftuar edhe i pandehuri Emir. Ashtu që, i pandehuri Enver e telefonoi djalin e tij, Emirin, duke i thënë se “erdh L.V. dhe më kërcënoi se ti nuk guxon me vazhdu me punu dhe ka ardhur edhe vëllai i tij N.V.”. I pandehuri Emir, i pajisur me armë, erdhi me shpejtësi me veturën e tij dhe shkoi në vendin e lartcekur.

Për këtë, Enver Sylka akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në shtytje”, nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 lidhur me nenin 32, paragrafi 1 të Kodit Penal./BetimipërDrejtësi

Shpërndaje në: