Sulme e thirrje për presione – Si e akuzoi pushteti Prokurorinë Speciale për rastin “Banjska”

Sulme e thirrje për presione – Si e akuzoi pushteti Prokurorinë Speciale për rastin “Banjska”

Prokuroria Speciale e Kosovës, sot ka ngritur aktakuzë kundër kryeterroristit Milan Radojçiq dhe 44 personave të tjerë për sulmin në Banjskë. Këtë e ka konfirmuar në një konferencë për media kryeprokurori Blerim Isufaj. Jo rrallë herë Prokuroria u përball me sulme, presione e akuza nga pushteti gjatë këtij procesi, shkruan Periskopi.

I pari i Qeverisë kishte sulmuar Prokurorinë e cila sipas tij përkundër fakteve të siguruara nga institucionet e sigurisë, nuk ngriti asnjë aktakuzë për sulmin në Banjskë të Zveçanit.

Ai ishte shprehur se mos ngritja e asnjë aktakuzë dhe as informimi mbi këtë çështje, është e pakuptueshme.

“Ka pa numër fakte, dëshmi, pra të mjaftueshme për të ngritur aktakuza, Ky vit ishte vit i sulmeve kriminale, ka shpërputhje midis informacionit, fakteve dhe aktakuzave në anën tjetër. Dhe, ky hendek nuk mund të mbushet nga Qeveria, i takon Prokurorisë, unë jam për të ndihmuar, dhe ata për të punuar”– theksonte kryeministri Kurti.

E akuza për Specialen pati edhe nga zëvendësi i Kurtit Besnik Bislimi, madje ky i fundit i’u kishte kërkuar deputetëve që t’i bëjnë presion Prokurorisë për publikim e raportin për Banjskën.

“Ne i kemi dërguar raport 48 faqesh për Banjskën, BE-së edhe secilit shtet anëtar, edhe secilës ambasadë në Bruksel, 48 faqe. Por raportin për me e publiku duhet me bë prokurori. Prokurori nuk është Qeveri. Ne po bëjmë presion publik që të publikohet raporti. Bëni edhe ju e ndihmona që Prokuroria ta bëjë raportin, ta nxjerrë fletarrestin për Radojçiqin dhe të gjendjen kriminelët e tjerë. Ndihmona në këtë drejtim, që Radojçiqi të mos sillet i lirë rreth veriut. Sa herë që ai sillet i lirë dhe Serbia dhe kampet ushtarake të saj, përgatit dhe trajnon të rinj nga Kosova, rreziku i sigurisë do të jetë permanent, prandaj ndihmona që edhe prokuroria të veprojë”, kishte thënë Bislimi.

Një akuzë tjetër nga pushteti Prokurorisë i erdhi edhe sot pak kohë para ngritjes së aktakuzës nga ministrja e Drejtësisë e cila tha se po të ishte Milan Radoiçiqi në ndjekje nga institucionet aso kohe dhe të mos kishte tërheqje të urdhërarrestit nuk do të kishte ndodhur as sulmi në Banjskë.

“Ne në vazhdimësi kemi shprehur shqetësimet tona se pse nuk po ngritet aktakuza për kryeterroristin Milan Radoiçiq, ndoshta po të ishte Milan Radoiçiqi në ndjekje nga institucionet aso kohe dhe të mos kishte tërheqje të urdhërarrestit nuk do të kishte ndodhur as sulmi në Banjskë.”– tha ajo.

Për të gjitha këto presione Blerim Isufaj pati një përgjigjie sot gjatë konferencës. I pyetur për deklaratat e pushtetit nga gazetarët Kryeprokurori i shtetit u shpreh nuk merret me “perceptimet dhe paragjykimet e askujt”.

Isufaj refuzoi t’i komentonte deklaratat e krerëve institucionalë rreth zhvillimit të hetimeve.

“Unë sinqerisht po kërkoj mirëkuptimin e juaj. Kemi pasur shumë interesim të madh për këtë rast, ne sot dolëm para jush të tregojmë atë që mundemi të tregojmë dhe që na lejohet të tregojmë për këtë rast”, tha fillimisht Isufaj.

“E tha edhe prokurori i çështjes, edhe unë mendoj se aktakuza është punuar mirë dhe në mënyrë profesionale”, vazhdoi ai.

Isufaj u shpreh se Prokuroria Speciale është institucion i pavarur.

 

“Kjo është e vetmja përgjigje që unë do ta jap: Ju informoj se Prokuroria Speciale nuk merret fare me perceptimet ose paragjykimet e askujt. Ne nuk komentojmë deklaratat e askujt. Jemi institucion i pavarur me kompetencë dhe përgjegjësi për ndjekjen e personave që kryejnë vepra të ndryshme penale”, tha Isufaj.

Kujtojmë se sulmi në Banjskë ndodhi me 24 shtator të vitit të kaluar, si pasojë e tij mbeti i vrarë rreshteri PK’së Afrim Bunjaku. /ALBINA ZARIQI-PERISKOPI

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në: