Thurte elozhe për Nenad Rikallon dikur të dënuar për korrupsion, ky është Bekim Hoxha që Qeveria e emëroi kryeshef të AUV-it

Thurte elozhe për Nenad Rikallon dikur të dënuar për korrupsion, ky është Bekim Hoxha që Qeveria e emëroi kryeshef të AUV-it

Sot Qeveria e Kosovës ka emëruar Bekim Hoxhën, kryeshef të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë. Por, kush është njeriu i cili Peci e transferonte nga një pozitë në tjetrën, shkruan Periskopi.

Hoxha i cili në vitin 2021 ishte emëruar zv.kryeshef në Agjencinë e Pyjeve, e më pas në qershor të vitit 2023, u bë zv.kryeshef i AUV-it, ishte dëshmitar edhe në gjykimin e Nenad Rikalos, ish ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR). Njeriu i cili ia kishte bërë dëm buxhetit të shtetit hic më pak se 4 milionë euro, Bekim Hoxha në rolin e dëshmitarit i dilte në mbrojtje, madje thurte elozhe për të [Nenad Rikallon].

Dy dëshmitarët e prokurorisë lavdërojnë ish-ministrin Rikalo

Në një kronikë që ua kishte kushtuar këtij rasti, gazetarja Saranda Ramaj, raportonte se si dy dëshmitarë të ftuar nga Prokuroria, thurnin lavde për ish-ministrin Nenad Rikalo, gjatë dëshmisë së tyre. Këtu bënte pjesë edhe tash zv. kryeshefi i AUV-it, Bekim Hoxha.

Pavarësisht se prokurorja Salihu e kishte konsideruar dëshminë e tij të rëndësishme për ta faktuar aktakuzën, Hoxha ka lavdëruar të akuzuarin kryesor në këtë rast, raportonte Koha.net.

“Sa i përket departamentit na ka mbështetur dhe e ka kuptuar sektorin”, kishte thënë Hoxha në Gjykatë.

Trupi gjykues me në krye Mentor Bajraktarin, Suzana Qerkinin dhe Violeta Namanin në aktgjykimin dënues kishin bërë të ditur se Rikallos dhe gjithashtu të akuzuarit tjetër Kapllan Halimi iu ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike për tri vite.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës me 26 dhjetor 2019, të pandehurit Nenad Rikalo, Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri dhe Ekrem Gjoka, akuzohen se në bashkëveprim, gjatë vitit 2018, kanë mundësuar që disa kompani të përfitojnë grande në mënyrë të kundërligjshëm.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Rikalo në cilësinë e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka tejkaluar kompetencat e tij duke hartuar ‘Program të veçantë’ për financimin e disa projekteve.

Megjithatë, 3 muaj më parë Apeli i liroi nga akuza për korrupsion ish-ministrin e Bujqësisë Nenad Rikalo dhe ish-sekretarin Kapllan Halimi.

Kush është Nenad Rikallo – dikur kishte bashkëpunuar edhe me Albin Kurtin

Nenad Rikallo përmes një reagimi që kishte bërë kohë më parë, kishte deklaruar se ai ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë edhe me Albin Kurtin.

“Nga viti 2001 deri në vitin 2003 kam punuar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kurse nga viti 2003 në mënyrë aktive kam punuar në sektorin civil për pajtim mes komuniteteve dhe për zhvillim të shoqërisë. Ndoshta këtë publiku nuk e di, por 4 vite kam qenë anëtarë i Bordit në fondacionin Soros së bashku me Shpend Ahmetin dhe Ilir Dedën dhe me intelektualë të tjerë të shquar nga Prishtina. Në vitin 2003 së bashku me Albin Kurtin kam marrë pjesë në themelimin e KAN-it. Në atë kohë së bashku kemi punuar për krijimin e strategjisë së luftës jo të dhunshme për një jetë më të mirë dhe për pajtim mes njerëzve në Kosovë. Ai më vonë ka ndryshuar bindjet e veta duke nisur një rrugë tjetër, ka formuar lëvizjen Vetëvendosje e cila përdorë metoda të dhunshme për arritjen e qëllimeve politike në politikë, gjë që mua nuk më ka konvenuar. Që nga atëherë kemi ndërprerë bashkëpunimin”, kishte thënë ministri Rikalo në vitin 2017.

Kush ishte Lëvizja KAN e cila më vonë u shndërrua në Lëvizjen Vetëvendosje?

KAN ishte lëvizje e aktivistëve të rinj, që për mision, proklamonin se kanë, ndryshimet shoqërore dhe krijimin e qytetarisë aktive.

Sipas të dhënave, Albin Kurti ka punuar si aktivist në Rrjetin e Aksionit për Kosovën (KAN), të formuar në vitin 1997, që u ringjall në konferencën “Drejtimet e reja” të mbajtur në Prishtinë nga 8-13 korrik 2003.

Në këtë mënyrë KAN e siguroi vazhdimësinë me anë të një fillimi të ri. KAN ishte lëvizje e aktivistëve të rinj, që për mision kishin ndryshimet shoqërore dhe krijimin e qytetarisë aktive. Aktivitetet përqendroheshin në tri fusha kryesore: çështjet e të drejtave të njeriut dhe drejtësia sociale, arsimi, kultura dhe arti. KAN përbehej edhe prej shumë anëtarëve ndërkombëtarë.

Më 12 qershor 2005 në muret që rrethonin ndërtesën e UNMIK-ut, aktivistët shkruan parullën Jo negociata, vetëvendosje, që solli në transformimin e KAN-it në Lëvizjen Vetëvendosje!

Shkrimi i parullave vazhdoi gati në të gjitha fshatrat dhe qytetet e Kosovës, dhe pastaj lëvizja filloi me përdorimin e metodave tjera kreative e të pa dhunshme sikurse janë aksionet simbolike, bllokadat dhe së fundi edhe demonstratat masive.

Për Lëvizjen KAN kishte folur edhe Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së.

“Vetëvendosje, prej KAN-it kur kanë qenë si organizatë shqiptaro-serbe është formuar në Lëvizje është bërë Lëvizje protestuese dhe është bërë lëvizje politike. Ata i kanë politikat e veta. Unë i respektoj rivalët por nuk bën të krijohet percepsionin e rrejshëm publik sepse ata nuk janë opsion i Kosovës”, pati thënë Haziri gjatë një debate televiz gjatë fushatës zgjedhore./Periskopi/

Shpërndaje në: