Prokurori i rastit “Banjska”: Janë intervistuar 66 dëshmitarë, Radojiçiq po hetohet si kryesues i grupit
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj sulmit terrorist të Banjskës.
Kjo është bërë e ditur sot në një konferencë për media.
Me këtë rast, prokurori i rastit, Naim Abazi ka deklaruar se rasti Banjskës është rast i madh kriminale e që përfshin ngritjen e aktakuzës kundër një grupi të madh kriminal prej 45 personave, që dyshohet për kryerjen e veprave penale që lidhen si ato të terrorizimit dhe financim të terrorizmit.
“Hetimet në këtë rast kanë qenë ndër hetimet më komplekse që ka pasur ndonjëherë kjo Prokurori. Këto hetime kanë kërkuar punë intensive ku janë përfshirë agjencitë e zbatimit të ligjit si kombëtare e ndërkombëtare. Kemi realizuar 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur, janë analizuar rreth 120 pajisje elektrike e 1 mijë e 66 armë, pajisje të tjera dhe kemi siguruar me qindra dokumente që përmbajnë prova kritike për këtë çështje. Kemi hasur në disa sfida të mëdha, por përkushtimi ynë për të ndriçuara këtë rast na ka mundësuar që të tejkalojmë këtë sfidë.Aktakuzë përfshinë 45 persona që kanë pasur role të ndryshme brenda këtij grupi kriminal duke filluar nga organizimi, drejtim i aktiviteteve”,deklaroi Abazi, shkruan lajmi.net.
Ai tha se ndër të akuzuarit kyç në këtë rast është edhe ai që njihet si kryesuesi i grupit e që ka luajtur rol të rëndësishëm në këtë sulm, Milan Radojiçiq.
“Ai luajti rol në koordinim dhe në veprimtari kriminale.Kemi bërë dhjetëra kërkesa për bashkëpunim ndërkombëtarë, duke përfshirë BE-në dhe SHBA-të nga ku kemi arritur të sigurojmë dëshmi të rëndësishme. Gjatë këtij procesi kemi realizuar sekuestrimin e një sërë pasurie të luajtshme dhe të paluajtshme, si prona, automjete e para të shumta.Janë konfiskuar 1 mijë e 66 armë pajisje të tjera”,vazhdoi ai.
Ngritet aktakuzë ndaj Milan Radojçiqit dhe 44 terroristëve të tjerë për sulmin në Banjskë