Reagon Këshilli Prokurorial i Kosovës: Shoqëria civile nuk i monitoroi testin kualifikues dhe me shkrim për prokurorë
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar lidhur me kritikat nga shoqëria civile se nuk janë lejuar të monitorojnë intervistimet e kandidatëve për prokurorë të shtetit.
KPK ka thënë se organizatat nuk i kanë monitoruar dy hapat paraprakë si: testin kualifikues dhe me shkrim.
Megjithatë, KPK-ja e ka konfirmuar se nuk i kanë lejuar këto organizata të qëndrojnë gjatë intervistimit.
Komunikata:
Prishtinë, 10 shtator 2024 – Këshilli Prokurorial i Kosovës njofton opinionin publik se edhe në rastin aktual të zhvillimit të procesit të rekrutimit të 24 prokurorëve të rinj të shtetit (4 vende janë të rezervuara për prokurorët nga radhët e minoritetit serb, me ç’rast nuk ka aplikuar asnjë kandidatë), por edhe në të ardhmen dhe në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe aktet nënligjore do të udhëheqë dhe administrojë procedurat e rekrutimit të prokurorëve të shtetit, duke u bazuar në kritere të përcaktuara dhe në përputhje me procedurat e paanshme dhe meritokratike, sepse rruga e vetme është respektimi maksimal i transparencës publike, që determinon marrjen e vendimeve të duhura në sistemin prokurorial.
Këtë proces rekrutimi, për të cilin kanë reaguar disa organizata joqeveritare, KPK-ja bënë me dije se janë duke e monitoruar përfaqësuesit e partnerëve ndërkombëtarë në Kosovë, duke informuar opinionin publik se përfaqësuesit e shoqërisë civile, përfshirë organizatat joqeveritare që reaguan dje për mospjesëmarrjen e tyre në monitorimin e procesit të intervistimit me gojë të 24 kandidatëve për prokurorë, IKD-ja, Lëvizja FOL dhe INPO, vazhdimisht janë njoftuar dhe ftuar për monitorimin e proceseve të rekrutimit të kandidatëve për prokurorë të shtetit, qoftë për monitorimin e testeve kualifikuese apo qoftë të testeve me shkrim. Përveç të tjerave, ato janë njoftuar dhe ftuar edhe për monitorimin e shqyrtimit të kundërshtimeve të kandidatëve për prokurorë të shtetit ose për procese të tjera, siç janë rastet e zgjedhjes së kandidatëve për kryeprokurorë të prokurorive të vendit.
Duke ditur se njoftimet dhe ftesat janë publikuar për përfaqësuesit e shoqërisë civile, këtu rezulton dhe del në pah moszbatimi sistematik i transparencës publike të këtyre organizatave lidhur me monitorimin e këtyre proceseve, sepse faktikisht nuk kuptohet se cila është logjika monitoruese e këtyre organizatave, ngaqë në dy proceset e kaluara ishin të ftuara dhe nuk morën pjesë fare, kur dihet që procesi i testimit kualifikues, i testimit me shkrim dhe intervistimit me gojë të kandidatëve janë të ndërlidhur pashmangshëm njëri me tjetrën.
KPK-ja, pohon se nuk është e vërtetë, siç thuhet në komunikatën e tyre, që IKD-ja, Lëvizja FOL dhe INPO kanë monitoruar procesin për avancimin dhe transferimin e nëntë prokurorëve në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ngaqë nuk kanë qenë të pranishëm gjatë zhvillimit të këtij procesi.
Sa për dijeninë e publikut, njoftimet dhe ftesat e publikuara paraprakisht për këto organizata që nuk morën pjesë në monitorim janë të datave 19 maj 2024 (Testi Kualifikues) dhe 9 qershor 2024 (Testi me Shkrim).
Kurse, Komisioni për Rekrutim të Prokurorëve, dje, përmes zyrtarëve përgjegjës të KPK-së, ka kërkuar nga përfaqësuesit e organizatave në fjalë që ta lëshojnë hapësirën ku do të mbaheshin intervistat me gojë të prokurorëve të rinj, sepse nuk kanë qenë të ftuar me shkrim për monitorimin e procesit të intervistimit.
KPK-ja bënë me dije për opinionin publik se këto organizata, pra IKD-ja, Lëvizja FOL dhe INPO, nuk kanë marrë pjesë në asnjërën nga proceset e mëparshme të zhvilluara për rekrutimin e prokurorëve të shtetit, përveç atyre organizatave që kanë pasur memorandume bashkëpunimi me KPK-në.
Këshilli Prokurorial i Kosovës edhe njëherë përsëritë se ky proces është duke u monitoruar nga përfaqësuesit e partnerëve ndërkombëtarë.