Mediumi më i madh francez i kushton vëmendje përjashtimit të Edon Zhegrovës

Mediumi më i madh francez i kushton vëmendje përjashtimit të Edon Zhegrovës

Edon Zhegrova ishte temë debati në ditët e fundit pasi u përjashtua nga Kombëtarja e Kosovës sepse kishte dalë natën nga kampi i Dardanëve për të shkuar në një bar-restaurant së bashku me portierin Arijanet Muriç dhe mesfushorin Florent Muslija, po ashtu të përjashtuar shkaku i thyerjes së rregullave.

E lajmi për largimin e “Messit të Kosovës” nga kampi i Kombëtares ka bërë jehonë edhe në Francë, aty ku ai po luan me plot sukses me Lillen.

Mediumi më i madh francez “L’Equipe” në numrin e sotëm, si në versionin online ashtu edhe në atë të shtypur, ia ka kushtuar një shkrim rastit të 25 vjeçarit, i cili nga mllefi për përjashtim e hoqi foton e fundit motivuese për ekipin dhe ia bëri “unfolloë” faqes zyrtare të FFK-së në Instagram.

“Edon Zhegrova i Lille u përjashtua nga përzgjedhja kosovare për udhëtimin në Qipro (4:0) të hënën, me sa duket për një dalje në klub natë, të cilën ai e mohon”, shkroi mediumi francez.

Zhegrova luajti të premten në humbjen nga Rumania, por të dielën u përjashtua nga Kombëtarja, pasi FFK-ja e akuzoi se të shtunën mbrëma doli pa marrë leje nga kampi, më saktësisht nga hoteli ku ishte vendosur Kombëtarja.

Edoni është mjaft i dashur në Francë, ndërsa tifozët e Lillet çmenden pas tij.

Ai është mjaft i lidhur edhe me vendin e tij – Kosovën, ndërsa mbrëmë e bëri një postim në Instastory, duke iu dhënë kurajo shokëve të skuadrës pasi u pa duke e shikuar lojën me Qipron përmes telefonit.

Ende nuk dihet nëse Komiteti Ekzekutiv i FFK-së do ta marrë një vendim më të rëndë për lojtarin dhe nuk dihet nëse ai do të jetë apo jo pjesë e Kosovës në muajin tetor.

Shpërndaje në: